Kryediplomatët e G20-s mblidhen këtë javë, Blinken nuk do ta takojë ministrin rus

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, do të takohet me ministrin e Jashtëm kinez, Wangi Yi, në margjinat e një takimi të ministrave të jashtëm të G20 në Bali këtë javë, ka njoftuar të martën Departamenti i Shtetit.
Takimi me Wang, që pritet të realizohet të shtunën, do të jetë kontakti i fundit i nivelit të lartë midis zyrtarëve amerikanë dhe kinezë, teksa presidenti Joe Biden po e shqyrton heqjen e tarifave për disa mallra kineze për ta frenuar inflacionin, raportoi “Al Jazeera”.
“Sekretari Blinken fillimisht do të udhëtojë në Bali të Indonezisë për të marrë pjesë në Takimin e Ministrave të Jashtëm të G20-s, ku ai do të përforcojë angazhimin tonë për të punuar me partnerët ndërkombëtarë për të përballuar sfidat globale, duke përfshirë pasigurinë ushqimore dhe energjetike dhe kërcënimin që paraqet lufta e vazhdueshme e Rusisë kundër Ukrainës”, njoftoi të martën Departamenti i Shtetit.
Ky njoftim ndodhi pasi ministrat e jashtëm nga 20 ekonomitë më të mëdha do të takohen në ishullin indonezian të Balit të premten përpara një samiti të liderëve të G20 në nëntor, që gjithashtu do të mbahet në Indonezi.
Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergej Lavrov gjithashtu do të marrë pjesë në takimin e ministrave në Bali, por një takim mes tij dhe Blinkenit nuk pritet të ndodhë.

Back to top button