Kryediplomatët e Kosovës dhe Serbisë përplasen në OKB

(Lajm i përditësuar)
Kryediplomatët e Kosovës dhe Serbisë janë përplasur në takimin e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku po diskutohet për raportin gjashtëmujor të sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres për misionin e OKB-së në Kosovë.
Ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq, tha se serbët e Kosovës po diskriminohen dhe po shtypen nga autoritetet e Kosovës. Por, këto akuza u hodhën poshtë nga kryediplomatja e Kosovës, Donika Gërvalla.
Gërvalla mbrojti veprimet e Qeverisë së Kosovës në veriun e banuar me shumicë serbe, që komuniteti ndërkombëtar i ka cilësuar si veprime të njëanshme.
Ajo tha se nuk duhet t’iu besohet pretendimeve të Gjuriqit se serbët në Kosovë nuk kanë qasje në shëndetësi, arsim dhe llogari bankare.
“Realiteti është i qartë. Përfundimisht qytetarët po marrin frymë lirshëm dhe pa frikë nga bandat kriminale”, tha ajo.
Gjuriq u ankua se serbët po përballen me diskriminim, dhunë dhe shtypje, duke përmendur disa nga vendimet e fundit të Qeverisë së Kosovës, sikurse ndalimi i përdorimit të dinarit serb për pagesa me para të gatshme, mbyllja e degëve të Postës së Serbisë dhe komunave që punonin sipas sistemit serb.
Gërvalla: Problemi i Vuçiqit s’është asociacioni por ekzistenca jonë
Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz në Këshillin e Sigurimit të OKB-së ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk e ka problemin me asociacionin, porse ato e shqetëson vetë ekzistenca e Kosovës.
Gërvalla duke folur në Këshillin e Sigurimit të OKB-së ka thënë se gjitha pretendimet e Serbisë kinse për shkelje të të drejtave të minoriteteve janë gënjeshtra të kulluara.
“Ta sqarojmë njëherë se nuk ka asnjë vend në botë, që quhet Kosovë e Metohi. Ka Kosovë, Kosova apo Republika e Kosovës…Të mos besohet asnjë nga gënjeshtrat se kinse qytetarët e Kosovës nuk kanë qasje në shëndetësi, arsim dhe llogari bankare. Realiteti është i qartë. Përfundimisht qytetarët po marrin frymë lirshëm dhe pa frikë nga bandat kriminale…Vuçiqi e Putini s’janë dorëzua. Ata kanë interes të shkatërrojnë Republikën e pavarur të Kosovës edhe me forcë. Askush s’mund të mashtrohet. Është dëshmuar tashmë e do ta provojnë prapë”, ka thënë Gërvalla.
KS i OKB-së po diskuton për Kosovën
Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara po diskuton për Kosovën, përkatësisht për raportin gjashtëmujor të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres për punën e misionit të OKB-së në Kosovë.
Shefja e misionit të UNMIK-ut, Caroline Zijadeh tha se që nga sulmi në Banjskë vazhdon të bëjë thirrje për llogaridhënie të kryerësve të këtij akti përmes një hetimi të thellë e proces gjyqësor të plotë. “Ato janë esenciale për stabilitetin. Një akt i tillë i dhunës është i papërsëritshëm dhe mund të përsëritet më. Në këtë drejtim seanca fillestare gjyqësore është mbajtur më 9 tetor kundër tre të pandehurve nga totali prej 45 të akuzuarve në aktakuzë“, ka theksuar Zijadeh gjatë raportimit në KS të OKB-së, raporton rtk.
Ajo tutje ka thënë se në takimet me zyrtarët në Beograd dhe Prishtinë dhe me partnerët ndërkombëtar shihet një aspiratë për një dialog konstruktiv dhe marrëdhënie paqësore, por se sipas saj situata anë terren mbetet e brishtë dhe progresi mbetet vetëm tentativë.
“Gjatë vizitës sime të fundit në veri në shtator, organizatat e shoqërisë civile, palë politike dhe banorët aty kanë theksuar shqetësime serioze për sa i përket ndikimit të veprimeve të njëanshme që prekin të drejtat ekonomike dhe sociale. Mbyllja e degëve të Postës së Serbisë dhe zyrave komunale që udhëhiqen nga ana e Serbisë kanë kufizuar qasjen e tyre në shërbime kyçe, në veçanti sa i përket komunitetit serb në Kosovë“, ka shtuar ajo.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?