Kryeministri bullgar dhuron një rrogë për Ukrainën
Kryeministri bullgar Kiril Petkov ka nisur një fushatë publike duke u kërkuar qytetarëve bullgarë të dhurojnë pagën e një muaji në një fond për qeverinë ukrainase.
“I bëj thirrje çdo qytetari bullgar që me të vërtetë dëshiron të ndihmojë Ukrainën, të dhurojë një rrogë si unë. Fjalët janë të lehta, veprat janë të vështira, është koha që postimet në Facebook të bëhen fonde për Ukrainën”, shkroi Petkov.
Thirrja vjen mes mosmarrëveshjeve në koalicionin e katërfishtë qeverisës nëse Bullgaria duhet të dërgojë armë në Ukrainë.
Partia Socialiste është e vetmja në koalicion që kundërshton dërgimin e armëve.
Kryetarja e partisë dhe zëvendëskryeministrja Kornelia Ninova madje kërcënoi se do të largohej nga koalicioni për këtë çështje.
Petkov shpjegoi se dërgimi i ndihmës ushtarake në Ukrainë kërkon unitet politik dhe social dhe tha se do të vazhdojë të punojë që Bullgaria të ketë një qëndrim të unifikuar.
Këshilli i koalicionit do të mblidhet këtë javë për të diskutuar më tej këtë dhe një delegacion qeveritar do të udhëtojë në Kiev të mërkurën (27 prill).
“Ndihma ushtarake nuk është domosdoshmërisht në një nga dy ekstremet – nuk janë vetëm predha apo helmeta. Le të kuptojmë nevojat reale të Ukrainës dhe si një koalicion i informuar, të bashkohemi rreth nevojave të rëndësishme konkrete që ne të gjithë mund të qëndrojmë prapa”, shkroi Petkov.
“Derisa të arrijmë këtë konsensus politik, si qytetarë të Bullgarisë që besojnë se askush në Evropë nuk ka të drejtë të sulmojë fqinjët e tyre dhe të vrasë civilë, ne jemi të lirë të zgjedhim të ndihmojmë financiarisht Ukrainën për të blerë municion”, tha kryeministri./21Media