Kryeministri feston ditëlindjen

Kryeministri i Kosovës, njëherit kryetar i subjektit më të madh politik në vend, Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, sot feston ditëlindjen e 47-të. Kurti është lindur më 24 mars 1975 në Prishtinë.
Kurti është kryeministri i katërt dhe i gjashtë i Republikës së Kosovës pas shpalljes së pavarësisë.
Albin Kurti i ishte bashkuar Kryesisë së Unionit të Pavarur të Studentëve të Universitetit të Prishtinës në gusht 1997, i cili kishte organizuar protesta paqësore, jo të dhunshme, për lirimin e ndërtesave dhe ambienteve të universitetit, të cilat janë pushtuar nga autoritetet e regjimit serb.
Kur ka filluar lufta në Kosovë, në gusht 1998, Kurti ka filluar të punojë si Sekretar i Zyrës së Përfaqësuesit të Përgjithshëm Politik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Adem Demaçi. Kur kanë filluar bombardimet e NATO-s në Serbi dhe Kosovë në mars të vitit 1999, Kurti ka qëndruar në Prishtinë dhe është arrestuar nga policia serbe më 27 prill 1999. Kur forcat serbe janë tërhequr nga Kosova më 10 qershor, Kurti dhe mbi dy mijë shqiptarë të tjerë janë transferuar në burgjet serbe. Për shkak të presionit ndërkombëtar, Kurti është liruar më 7 dhjetor 2001. Më 23 prill 2003, Albin Kurti ka diplomuar në Fakultetin e Elektroteknikës në Universitetin e Prishtinës, drejtimi i Telekomunikacionit me Kompjuterik.
Në qershor 2005, Albin Kurti me aktivistë të tjerë të Rrjetit të Aksionit për Kosovën (Kosova Action Network) e kanë avancuar atë në subjektin Lëvizja Vetëvendosje. Ai ka qenë kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje deri në mars të vitit 2015. Ai ka garuar përsëri në zgjedhjet e brendshme për kryetar të Lëvizjes Vetëvendosje në janar të vitit 2018 dhe i ka fituar ato. Në periudhën 2005-2017, Kurti ka kaluar rreth një vit e gjysmë si i arrestuar nga UNMIK-u, EULEX-i dhe Policia e Kosovës.
Albin Kurti ka qenë deputet i Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin e Republikës së Kosovës për tri mandate me radhë. Ai gjithashtu ka shërbyer si kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme në Kuvendin e Republikës së Kosovës në vitet 2011-2014.
Në tri palë zgjedhjet e njëpasnjëshme parlamentare në Kosovë, më 2017, 2019 dhe 2021, Kurti ka qenë kandidati i partisë për kryeministër. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017 dhe 2019, Kurti dhe partia e tij ka fituar numrin më të madh të votave.
Në zgjedhjet e mbajtura më 14 shkurt 2021, lista e Vetëvendosjes ka fituar 50.28% të votës popullore, e që është rezultati më i mirë që një parti e ka arritur që nga përfundimi i luftës në Kosovë.
Albin Kurti ka publikuar mbi 550 artikuj dhe është ftuar të prezantojë në universitete të ndryshme të njohura brenda dhe jashtë vendit. Ai flet rrjedhshëm gjuhën shqipe, angleze dhe serbo-kroate.
Kurti është i martuar me Rita Augestad Knudsen dhe kanë një vajzë, Lean.
Profili i gruas së kryeministrit të ri të Kosovës, kush është Rita Knudsen Augestad?

Back to top button