Kryeministri sllovak largohet nga salla e operacionit, kalon rrezikun për jetë

(Lajm i përditësuar)


Mësohet gjendja shëndetësore e Robert Fico

Kryeministri sllovak Robert Fico është larguar nga salla e operacionit, ka thënë një burim për median sllovake Aktuality, dhe gjendja e tij cilësohet si e qëndrueshme, raporton Guardian.

Zëvendëskryeministri Tomas Taraba tha për BBC se besonte se kryeministri Fico do të mbijetonte dhe se jeta e tij nuk ishte më në rrezik.

Ai kritikoi gjithashtu partitë opozitare, duke i akuzuar ato për përdorimin e “narrativave të rreme” dhe për “pikturimin” e Fico si “një përbindësh”, komente që ai tha se ishin jodemokratike.

“Isha shumë i tronditur… për fat, me sa di unë, operacioni shkoi mirë – dhe imagjinoj se ai do të mbijetojë në fund… nuk është kërcënuese për jetën për momentin”, tha ai.

Më tej ai tha se të shtënat janë kryer “nga afër” nga një i moshuar.

“Ai u plagos rëndë – njëri plumb shkoi në stomak dhe tjetri në kyçin e dorës – ai u dërgua menjëherë në spital dhe më pas në operacion”, tha Taraba.

Fico u plagos më herët sot pas mbledhjes së kabinetit, njoftoi agjencia e lajmeve TASR. Ministri sllovak i Mbrojtjes Robert Kalinak e përshkroi më parë gjendjen e Fico si “jashtëzakonisht të rëndë”, ndërsa ministri i Brendshëm Matus Shutaj Eshtok, ka thënë më herët se Fico është në rrezik për jetën.

Ai shtoi se sulmuesi qëlloi pesë herë në drejtim të kryeministrit sllovak dhe se ai dyshonte se kishte motive politike.

“Për herë të parë në 31 vitet e republikës sonë sovrane demokratike, ndodhi që dikush vendosi të shprehë mendimin e tij politik jo në zgjedhje, por me armë”, ka shkruar Shutaj-Eshtok në Facebook.

Fico, ishte në operacion për më shumë se katër orë, thanë Kalinak dhe Shutaj Eshtok, duke shtuar se ekziston një “ekip i madh mjekësor që po përpiqet të kthejë pasojat e këtij atentati”.

Televizioni sllovak TV JOJ deklaroi se policia po merr në pyetje gruan e të dyshuarit.

Policia identifikoi 71-vjeçarin Juraj Tsintula, i cili qëlloi politikanin popullist pro-rus me armë, të cilën e kishte në pronësi të ligjshme. Sulmuesi u arrestua nga policia menjëherë dhe mediat sllovake raportojnë se ai bërtiste “Robo, hajde këtu!” para se të qëllonte.

Sulmuesi, një ish-roje sigurie, sipas mediave sllovake, ai është gjithashtu një anëtar i Shoqatës Sllovake të Shkrimtarëve. Në një prononcim për Aktualitin, djali i sulmuesit tha se “nuk e ka idenë” se çfarë po bënte dhe planifikonte babai i tij.

Një zyrtar nga partia SMER e Fico konfirmoi për Guardian, se kryeministri ishte qëlluar në bark dhe se po i nënshtrohej një operacioni në spitalin në Banjsaj Bistrica.


Kryeministri sllovak ende në operacion, raportohet se i janë dëmtuar disa organe

Plumbat kanë dëmtuar disa organe të rëndësishme të kryeministrit sllovak Robert Fico dhe operacioni është duke vazhduar, raporton “NEXTA”.

Kryeministri Fico ndodhet akoma në operacion pasi ditën e sotme u qëllua me armë zjarri nga një person i dyshuar, i cili tha se “nuk pajtohej me politikat qeverisëse”.

Operacioni do të zgjasë më shumë sepse sulmuesi ka dëmtuar disa organe të kryeministrit, këtë e raporton edicioni sllovak dennikn. sk.


Kryeministri sllovak Fico “në gjendje të rëndë” pas plagosjes me armë

Kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico u qëllua disa herë me armë gjatë një atentati pas një doli nga takimi i qeverisë të mërkurën dhe ndodhet në një gjendje të rrezikshme për jetën në spital.

Të shtënat ndodhën pas një takimi të qeverisë jashtë vendit në Handlova. Fico fillimisht u transportua në një spital lokal dhe më pas u dërgua me helikopter në një qendër të madhe trauma në Banska Bystrica, rreth 30 kilometra larg, shkruan CNN.

“Kishte një atentat ndaj R. Ficos. Ai u qëllua me disa plumba dhe aktualisht është në gjendje të rrezikshme për jetën. Orët e ardhshme do të jenë vendimtare”, ka shkruar faqja zyrtare e Ficos në “Facebook”.

Në deklaratën zyrtare thuhet se kryeministri u dërgua atje një vend të kryeqytetit të Bratislavës, sepse ishte e nevojshme “një ndërhyrje akute”. Handlova është rreth dy orë me makinë nga kryeqyteti Bratislava.

Presidentja sllovake Zuzana Čaputová dënoi atë që ajo e quajti një sulm “brutal dhe të pamatur” ndaj politikanit 59-vjeçar. “Jam i shokuar. I uroj Roberto Ficos gjithë forcën në këtë moment kritik për t’u rikuperuar nga sulmi,” shkroi Čaputová në Facebook.

Fico fitoi një mandat të tretë si kryeministër sllovak tetorin e kaluar, pasi drejtoi një fushatë që kritikonte mbështetjen perëndimore për Ukrainën. Përpara zgjedhjeve, Fico nuk i fshehu simpatitë e tij ndaj Kremlinit dhe fajësoi “nazistët dhe fashistët ukrainas” për provokimin e Vladimir Putinit për të nisur pushtimin, duke përsëritur narrativën e rreme që presidenti i Rusisë ka përdorur për të justifikuar pushtimin e tij, transmeton rtv21.tv.

Ndërsa ishte në opozitë, Fico u bë një aleat i ngushtë i kryeministrit të Hungarisë Viktor Orban, veçanërisht kur bëhej fjalë për kritikat ndaj Bashkimit Evropian.

Fico më parë shërbeu si kryeministër i Sllovakisë për më shumë se një dekadë, fillimisht midis 2006 dhe 2010 dhe më pas përsëri nga 2012 deri në 2018. Ai u detyrua të jepte dorëheqjen në mars 2018 pas javësh protestash masive për vrasjen e gazetarit investigativ Jan Kuciak dhe të fejuarës së tij , Martina Kušnírová. Kuciak raportoi për korrupsionin midis elitës së vendit, duke përfshirë njerëz të lidhur drejtpërdrejt me Fico dhe partinë e tij SMER.

Udhëheqësit evropianë e dënuan menjëherë sulmin. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, shkroi në Tëitter: “Unë dënoj fuqishëm sulmin e poshtër ndaj kryeministrit Robert Fico. Akte të tilla dhune nuk kanë vend në shoqërinë tonë dhe minojnë demokracinë, të mirën tonë më të çmuar të përbashkët. Mendimet e mia janë me Kryeministrin Fico. familja e tij.”

Dhe kryeministri hungarez Orban shtoi: “Isha thellësisht i tronditur nga sulmi i urryer kundër mikut tim, kryeministrit Robert Fico. Ne lutemi për shëndetin dhe shërimin e tij të shpejtë! Zoti e bekoftë atë dhe vendin e tij!”./21Media

Back to top button