Kryeministrja e parë në Suedi rikthehet pasi dha dorëheqje

Kryeministrja e parë femër e Suedisë, Magdalena Andersson u riemërua në postin e lartë pasi trazirat politike e detyruan atë të jepte dorëheqjen brenda disa orësh nga marrja e postit javën e kaluar.
Deputetët mbështetën udhëheqësen e Partisë Social Demokrate, Andersson me një diferencë të ngushtë në një votim të ri të hënën.
Ajo do të përpiqet të udhëheqë një qeveri njëpartiake deri në zgjedhjet në shtator të vitit të ardhshëm.
Andersson u largua nga posti i kryeministres të enjten e kaluar pasi koalicioni i saj u shemb.
Vetëm disa orë më parë, Andersson ishte zgjedhur si kryeministrja e parë femër e Suedisë me një votë të vetme në parlament. Por, plani i ekonomistes 54-vjeçare për të formuar një qeveri të re koalicioni me Partinë e Gjelbër u bë rrëmujë kur propozimi i saj buxhetor nuk u miratua.
Në vend të kësaj, parlamenti votoi për një buxhet të hartuar nga një grup partish opozitare, duke përfshirë Demokratët e Suedisë së ekstremit të djathtë.
Partia e Gjelbër tha se nuk do të pranonte një buxhet të hartuar nga e djathta ekstreme dhe u largua nga qeveria, duke çuar në rënien e saj.
Sipas konventës, kryeministri në Suedi duhet të japë dorëheqjen nëse një parti e koalicionit largohet nga qeveria./21Media

Back to top button