Kryeqyteti edhe me një Qendër të Mjekësisë Familjare
Një hap konkret për ndërtimin e Qendrës së Mjekësisë Familjare
Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti sot ka njoftuar se ndërtimi i objektit të Qendrës së Mjekësisë Familjare do të jetë investimi i radhës.
Objektit të Qendrës së Mjekësisë Familjare do të jetë në rrugën “Kujtim Laro”, lagjja e “Prishtina e Re- Zona Perëndim”, në afërsi të fshatit ndërkombëtar.
Ahmeti përmes një postimi në llogarinë e tij “Facebook”, bëri të ditur se lokacioni ka një sipërfaqe prej 1971m2.
“Në ndërkohë kanë filluar procedurat e prokurimit për konkursin e projektimit për hartimin e projektit ideor arkitektonik për këtë Qendër”, ka shkruar Ahmeti.
I pari i kryeqytetit këtij njoftimi ia ka bashkangjitur disa fotografi dhe njoftimin për kontratë.
Njoftimi për kontratë: goo.gl/Y2NCq8.
QKMF në Prishtinë është Institucion publik parësor shëndetësor, i cili qëllim kryesor ka promovimin, ruajtjen dhe përmirësimin e shëndetit të popullatës.
Aktivitetin e realizojnë përmes rrjetit të njësive organizative, që përfshinë Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF), 14 Qendra të Mjekësisë Familjare (QMF) dhe 15 Ambulanca të Mjekësisë Familjare (AMF)/21Media