Kryhen intervenime të rralla në QKUK, 5 vjeçari ishte diagnostifikuar me veshkë jo funksionale

Në Klinikën e Kirurgjisë së Fëmijëve janë kryer dy ndërhyrje, njëra për herë të parë e tjetra për herë të tretë.
Këtë e ka bërë të ditur Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (ShSKUK).

“Për herë të parë, me datë 20.12.2023, është realizuar me sukses, Nefrektomia laparoskopike- “Laparoscopic Nephrectomy Ribbon Technique”, në Klinikën e Kirurgjisë së Fëmijëve, nga ekipi i kirurgëve pediatrik në bashkëpunim me anesteziologët e Klinikës së Anesteziologjisë”, thuhet në njoftimin e ShSKUK-së.

Njëra ndërhyrje është realizuar tek një fëmijë i moshës 5 vjeçare i cili ishte diagnostifikuar me veshkë jo funksionale si pasojë e hidronefrozës së gradës së katërt, transmeton rtv21.tv.

Ndërsa para disa jave për herë të tretë është kryer një ndërhyrje tek një fëmijë 1 vjeçar i cili ishte diagnostifikuar me sëmundjen e Hirschsprung-ut (megakoloni kongjenital).

“Raste të tilla sfiduese të cilat kryhen në qendra të specializuara dhe me përvojë, janë realizuar me sukses të plotë edhe në Klinikën e Kirurgjisë së Fëmijëve në QKUK, ku për mbi 4 vjet, janë realizuar intervenime laparaskopike tek fëmijët me patologji te ndryshme si: testisi intraabdominal, varikocela e testisit, divertikuli i Meckeli-it, tumoret e vezoreve, ciste e veshkës, apendektomia laparoskopike, kolecistektomia laparoskopike dhe Cista e Ekinokokut të Mëlçisë”, ka shkruar ShSKUK në Facebook.

Duke shtuar se me avancimin e mëtutjeshëm të “Kirurgjisë Minimale Invazive” do të mund të trajtohen shumica e patologjive me intervenimeve laparaskopike në Klinikën e Kirurgjisë së Fëmijëve në ShSKUK./21Media

Back to top button