Kthehet në rigjykim çështja penale kundër ministres Haradinaj-Stublla

 

Gjykata e Apelit e Kosovës, sot ka vendosur që rasti i së akuzuarës, Ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporë, Meliza Haradinaj-Stublla të kthehet në rigjykim.

Sipas një komunikate për media, Gjykata e Apelit, gjeti se aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë, është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, ngase dispozitivi i aktgjykimit të ankimuar është në kundërshtim me vetveten si dhe me arsyetimin, pasi që nuk përmban fakte vendimtare të cilat e karakterizojnë veprën penal.

“Po ashtu nga shkresat e lëndës rezulton se gjykata e shkallës së parë, me aktgjykimin nxjerrë, nuk i ka vërtetuar në mënyrë të drejtë elementet inkriminuese të veprës penale, e cila i vihet në barrë të akuzuarës, sepse fillimisht është dashur që të vërtetoj elementet të cilat e karakterizojnë veprën penale, që nënkupton në përshkrimin faktik dispozitivi i aktgjykimit të ankimuar është i mangët. Për këto dhe arsye tjera, u vendos që çështja të kthehet në rigjykim”, thuhet tutje në komunikatë.

Aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, i datës 04.10.2019 është anuluar sipas detyrës zyrtare dhe çështja penale i është kthyer gjykatës së njëjtë, në rigjykim dhe vendosje.

Gjykata themelore, e kishte shpallur fajtore Meliza Haradinaj-Stublla, rreth një vit më parë (në kohën kur ishte këshilltare politike e kryeministrit, Ramush Haradinaj), për shkak të veprës penale “Mosraportimi apo raportimi i rrem i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose detyrimeve financiare”. Për këtë ajo ishte dënuar më 8 muaj burgim më kusht, në afatin e verifikimit prej 1 viti, si dhe dënimi me gjobë, në shumën prej 1.000 eurosh./21Media

Back to top button