Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi ka pritur sot në takim informues dhe raportues Bordin, Menaxhmentin dhe Sindikatën e Telekomit të Kosovës.

Sipas komunikatës së ministrisë, temë bosht e diskutimit ishte gjendja e krijuar së fundi në Telekomin e Kosovës, pas bllokimit të xhirollogarive bankare nga përmbaruesi privat.

Ministri Kuçi kërkoi nga drejtuesit e organeve të Telekomit që të raportojnë në tërësi për rrjedhën e këtij rasti dhe hapat që janë ndjekur në secilën fazë. Gjithashtu, nga menaxhmenti u kërkua të raportohet për përformancën e tanishme të kësaj ndërmarrje publike.

Përpos diskutimit, ministri kërkoi nga Bordi i Ndërmarrjes që të propozojnë rekomandime për dalje nga gjendja e bllokimit të xhirollogarive bankare dhe vazhdimit tutje të funksionimit të ndërmarrjes.

Ndërsa, Sindikatës së Telekomit iu tha se bashkëndjejmë me punëtorët, të cilët janë të shqetësuar për situatën, pikërisht në këtë kohë pandemie.

Kuçi përsëri u zotua se me të gjitha mundësitë ekzistuese do të bëhet zgjidhja më e mirë./21Media