Kufiri Maqedoni-Kosovë ende me test “PCR”, Tahiri i quan të palogjikshme, Grubi së shpejti pret vendim konkret

 

Maqedonia e Veriut dhe Kosova duhet të ndjekin shembullin e Kosovës me Shqipërinë, që në vendkalime kufitare qytetarët të kalojnë pa teste PCR për Covid-19, propozuan dy zëvendëskryeministrat e parë, ai i Maqedonisë, Artan Grubi dhe homologu i tij nga Kosova, Besnik Tahiri.

“Kufijtë duhet të liberalizohen sipas shembullit të Kosovës dhe Shqipërisë të cilat janë të hapura dhe kemi lëvizje të jashtëzakonta mes dy vendeve, në veçanti në sezonin turistik dhe transmetimi i një infektimi me Covid-19 nga Shqipëria në Kosovë, ose nga Kosova në Shqipëri ishte minimal dhe ky shembull duhet të na shërbejë edhe neve për të liberalizuar kufijtë jo vetëm me fqinjin tonë Kosovën por edhe me fqinjët tanë të tjerë përreth”, deklaroi zëvendëskryeministri i parë i RMV-së, Artan Grubi.

Zëvendëskryeministri Grubi tha se ekipi i përbashkët Maqedoni-Kosovë po vazhdon të punojë për protokollet për zbutje të masave. Ai shpreson për vendim konkret në ditët në vijim. Ndërkaq homologu i tij Tahiri testet e detyrueshme mes Maqedonisë e Kosovës i quajti të palogjikshme.

“Për mua është totalisht e palogjikshme që ne të kemi një sistem të testimit bilateral përderisa me Shqipërinë është e hapur, shkëmbimi i qytetarëve mes Kosovës dhe Shqipërisë ka qenë shumë i madh dhe mendoj se duhet t’i shohim të gjitha mundësitë, që duke e ruajtur shëndetin publik, që të lehtësojmë komunikimin e qytetarëve të cilët na baza ditore komunikojnë mes vete”, theksoi Besnik Tahiri, zëvendëskryeministër i parë i Kosovës.

Testet e detyrueshme PCR për të kaluar nga Kosova në Maqedoni dhe anasjelltas kanë vështirësuar lëvizjet e qytetarëve, e më shqetësuese akoma është për shtetasit e Kosovës, të cilët shumë shërbime shëndetësore i kryejnë në Shkup, ndërsa aeroportet e dy vendeve përdoren nga qytetarët e të dy vendeve, varësisht linjave të fluturimit.

Përveç lehtësimit të masave, dy tema të tjera për të cilat folën zëvendëskryeministrat janë bashkëpunimi për integrimet evropiane si dhe ndërtimi i 12 kilometrave të autostradës Shkup-Bllacë, raporton TV21./21Media

Back to top button