Kundër vrasjes së grave nga burrat, të enjten protestohet në Prishtinë

Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka njoftuar se nesër do të mbahet protestë, duke filluar nga ora 16:00.
“Vrasje e grave nga burrat të trajtohet si urgjencë kombëtare” – me këtë thirrje, nesër në Sheshin “Zahir Pajaziti” do të protestohet, pas rasteve tragjike që tronditën vendin, ku një 63 vjeçare u vra nga burri i saj në Prishtinë dhe një 35 vjeçare u vra nga ish bashkëshorti i saj në oborrin e QKUK-së.
“Edhe një burrë sot vrau një grua. Edhe një grua që ra viktimë e patriarkatit që i bënë burrat vrasës e grave ua merr jetën. Sot, për të dytën herë brenda javës, u njoftuam edhe nga një vrasje tjetër makabre e një gruaje shtatëzënë nga ish-bashkëshorti i saj në QKUK, në sytë e shtetit. Pesë ditë, dy vrasje. Gratë po vriten një nga një në Kosovë, në shtëpitë e tyre, në spitale e rrugë nga burrat bashkëshortë, familjarë e të njohur. Me sopata e plumba e në mënyrën më makabre burrat po ua marrin jetën grave. Ata po vrasin gratë në sytë tanë e në dijenin e shtetit e me ndërmjetësimin e tij. Gratë vriten, e para kësaj dhunohen vazhdimisht, në heshtje e pa mbrojtje. Ato jetojnë nën frikë të vazhdueshme, deri sa në fund iu merret edhe fryma e fundit”, kanë thënë nga KMVF./21Media

Back to top button