Vrasja e 35 vjeçares, Konjufca: S’ka fjalë që përshkruan mllefin e dhimbjen

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca është shprehur i tronditur nga rasti tragjik që tronditi vendin, ku një 35 vjeçare vdiq pasi u qëllua me armë zjarri nga ish bashkëshorti i saj.
“Sonte u troditëm nga vrasja makabre e gruas 35 vjeçare, në oborrin e QKUK-së, që rezulton se ishte shtatzënë në ditët e fundit të pritjes për ta sjellë në jetë fëmijën e saj. Edhe një vrasje e një gruaje nga burri i saj brenda pak ditësh pasi një tjetër grua u vra me sëpatë nga burri i saj në shtëpinë e saj. Në momente të tilla, nuk ka fjalë që përshkruan mllefin dhe dhimbjen që secilin prej nesh ndien”, ka shkruar Konjufca.
Konjufca tha se “gratë dhe vajzat nuk janë vetëm në këtë betejë”, ndërkohë që bëri thirrje që “të bëhet çmos të kapet autori”.
“Ngjarje si këto në javën e fundit, pikërisht në kohën kur po shënohet fushata globale kundër dhunës me bazë gjinore, tregon domosdoshmërinë për përkushtim dhe reagim institucional e shoqëror. Gratë dhe vajzat nuk janë vetëm në këtë betejë. Iu bëj thirrje institucioneve të rendit të bejnë çmos që ta kapin vrasësin. Kurse institucioneve të drejtësisë që t’ia japin dënimin e merituar. Bashkëndiej me familjen, të afërmit dhe miqtë e viktimës dhe iu shpreh ngushëllimet më të sinqerta!”, ka shkruar Konjufca./21Media

Back to top button