Kundërshtohet lirimi i Kadri Veselit nga paraburgimi

 

 

Zyra e Prokurorit të Specializuar i ka çuar argumentet e saj në Gjykatën Speciale të premten për ta kundërshtuar kërkesën e Ben Emmerson, avokatit të Kadri Veselit, për ta liruar përkohësisht nga paraburgimi ish-kryetarin e Kuvendit të Kosovës.

Prokuroria Speciale ka renditur argumentet se pse Veseli, sipas organit të akuzës, duhet të vazhdojë të qëndrojë në paraburgim. Prokuroria ka përmendur edhe mundësinë e dënimit të Veselit me burgim të përjetshëm, si një prej arsyeve se pse sipas tyre ai nuk duhet të lirohet as përkohësisht.

“Veseli është akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në 40 vende të mbajtjes anembanë, përfshirë vrasjet dhe torturat. Krimet e paraqitura në akuza kundër Veselit sjellin një dënim të mundshëm me burgim të përjetshëm. Kjo perspektivë krijon rrezik të vazhdueshëm të arratisjes së tij, që do të rritet vetëm pasi Veseli do të mësojë fushën e plotë të provave kundër tij”, thuhet mes tjerash në përgjigjjen e Prokurorisë.

Prokuroria pretendon se kriteret për ta mbajtur Veselin në paraburgim janë përmbushur dhe se këto kritere “nënvizojnë seriozitetin e rreziqeve të paraqitura”, duke përmendur më tej rrezikun që Veseli të arratiset dhe rrezikun që të ndikojë në procesin e hetimit ndaj tij, përfshirë ndërhyrjen në dëshmitarë. Sipas Prokurorisë, “asnjë masë alternative nuk adreson sa duhet këto rreziqe”.

Në materialin e Prokurorisë Speciale në Hagë thuhet se gjykatësi Nicolas Guillou duhet t’i ketë parasysh tri gjëra përpara se të vendos për lirimin ose mbajtjen në paraburgim të Kadri Veselit.

“Gjyqtari i procedurës paraprake duhet të kuptojë se: (i) ekziston një dyshim i bazuar se Veseli ka kryer një krim brenda juridiksionit të Dhomave të Specializuara (‘DHSK’); dhe (ii) ekzistojnë shkaqe të artikulueshme për të besuar se: (1) ekziston rreziku jashtë funksionit; (2) Veseli do ta pengojë mbarëvajtjen e procedurës penale, duke përfshirë deri në ndikimin e dëshmitarëve, viktimave ose bashkëpunëtorëve; ose (3) seriozitetin e krimit, ose mënyrën apo rrethanat në të cilat është kryer dhe karakteristikat personale të Veselit, sjellja e kaluar, mjedisi dhe kushtet në të cilat ai jeton ose rrethana të tjera personale tregojnë një rrezik që ai të përsërisë veprën penale, të përfundojë një krim në tentativë ose të kryejë një krim të cilin ai ka kërcënuar se do ta kryejë”, thuhet tutje në materialin e këtij organi.

Përgjigjen e plotë të Prokurorisë Speciale mund ta lexoni KËTU

Back to top button