Kupa e Botës në Hendboll, një nga organizimet më të mëdha sportive

Më 11 deri më 17 korrik Kosova do të pres Kupën e Botës në Hendboll për universitete 20 universitete me rreth 50 garues do të marrin pjesë në këtë ngjarje madhështore.
Ky kampionat do të zhvillohet në Pallatin e Rinisë dhe sallën “1 Tetori”, Prishtinë dhe po cilësohet si një organizim i jashtëzakonshëm për Kosovën pasi në vendin tonë do të zbarkojnë vende nga katër kontinente të botës.
Me këtë rast, ushtruesi i detyrës së kryetari të Federatës së Sporteve Universitare, Gani Ibrahimi, që është nikoqir i këtij kampionati tha se organizimi i kësaj ngjarje kaq të madhe është privilegj dhe përgjegjësi dhe se duhet shfrytëzuar për të treguar kulturë dhe nivel të lartë si shtet.
“Me të drejtë thuhet se ngjarjet e mëdha sportive me të drejtë janë martesa e sportit me kulturën. Këto janë agjenda shtetërore jo vetëm sportive, ngritje flamujsh universitetesh, krahas universiteteve e kulturave botërore. Pas shtatë viteve anëtarësim në komitetin olimpik të federatës së sporteve universitare të Kosovës në FISU dhe EUSA, Kosova ndihet krenare me sukseset e arritura brenda një kohe të cilat kanë krijuar një bonus të mjaftueshëm. Edhe më shumë se njëherë sot duhet të ndihemi të privilegjuar dhe të përgjegjshëm për besimin e dhënë nga FISU për organizimin e Kampionatit Botëror për universitete botërore…Të ecim së bashku në këtë rrugëtim të ri, të prezantojmë vlerat dhe kulturat sportive, të prezantojmë kulturë universitare në regjion dhe rajone ndërkombëtare”, tha Ibrahimi.
Nga ana tjetër, ministri i Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Hajrulla Çeku, tha se organizimi i kësaj ngjarje është një mundësi e artë për të treguar vlerat tona dhe po ashtu zbuloi se si ministri janë shumë afër arritjes së një marrëveshje për organizimin e një tjetër ngjarjeje të madhe sportive vitin e ardhshëm.
“Nga momenti i parë ne kemi qenë shumë jo vetëm të gatshëm por edhe të motivuar nga ideja që shteti ynë të jetë mikpritës i një ngjarje kaq të rëndësishme ndërkombëtare të sportit dhe këtë të gjithë së bashku duhet ta shohim si mundësi të artë për shtetin tinë, jo vetëm si një moment që ndodh sivjet gjatë korrikut por edhe si argument i fuqishëm që Kosova është e gatshme me të gjitha kapacitetet për të pritur ngjarje të mëdha ndërkombëtare duke nisur me kampionatit botëror universitar ne hendboll. Jemi doke negociuar dhe jemi shumë afër për ta siguruar edhe një ngjarje shumë të rëndësishme ndërkombëtare të sportit për vitin e ardhshëm . Jam shpresëplotë që shumë shpejtë do ta publikojmë edhe atë dhe në përgjithësi të vazhdojmë t’i tregojmë të gjithë botës që shtetit ynë konkurron me shumë vlera”, tha Çeku.
“Është me të vërtetë një përgëzim, një moment fantastik për kryeqytetin, për shtetin e Kosovës që jemi këtë vit nikoqir i Kupës Botërore të Hendbollit të vitit 2022. Kjo tregon që ne faktikisht struktura menagjuese të njerëzve i kemi të gatshme…Është me të vërtetë kënaqësi të jemi nikoqir të këtij eventi të madh ku marrin pjesë katër kontinente, ku marrin pjesë një numër i madh i shteteve të ndryshme të botës, ku nëpërmjet sportit po e zhvillojmë edhe turizmin sportiv, ku po e reprezantojmë edhe kulturën dhe traditën tonë, ku po bëjmë ndërlidhje të shumta në mes të Kosovës ehe vendeve të tjera të botës”, theksoi Rama.
Kupa Botërore do të mbahet në periudhën 11 – 17 korrik 2022, në Pallatin e Rinisë dhe sallën “1 Tetori”, Prishtinë./kp

Back to top button