Kur do ta ketë Kosova programin kombëtar të shkencës?
Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci sonte në Argument Plus në RTV21 ka thënë se është në përgjegjësinë e kryetarit/es që do të zgjidhet nga Këshilli Kombëtar i Shkencës, që të hartojë programin kombëtar të shkencës.
“Gjatë ditëve në vijim do të kemi konstituimin formal, do të kemi takimin e parë me të gjithë anëtarët e Këshillit Kombëtar të Shkencës, të cilët do të zgjedhin kryetarin/en. Pastaj, është në përgjegjësinë e tyre të hartojnë programin kombëtar të shkencës”, tha Nagavci.
Këshilli Kombëtar i Shkencës përbëhet prej 15 anëtarëve, të cilët i emëron Kuvendi me propozimin e Qeverisë, me një mandat prej katër vjetësh. Në Këshillin Kombëtar të Shkencës, sipas ligjit, duhet të sigurohet përfaqësimi adekuat i institucioneve kërkimore-shkencore, i fushave prioritare të shkencës dhe i autoriteteve të shkencore. Detyrë kryesore e Këshillit Kombëtar të Shkencës është hartimi i programit kombëtar të shkencës, i cili paraqet dokumentin bazë për financimin e punës kërkimore shkencore në Kosovë./21Media