Pas miratimit të të Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike, Fondi i Kursimeve Pensionale ka sqaruar se fillimisht projektligji duhet të nënshkruhet nga Presidenti i vendit pastaj të publikohet në Fletoren Zyrtare e më pas të lejohet aplikimit.

Nga Fondi janë shprehur optimist se një gjë e tillë nuk do të merrë shumë kohë, por që kanë bërë të ditur se nuk varet nga Trusti.

Tutje, me hyrjen e ligjit në fuqi Fondi i Kursimeve Pensionale ka sqaruar mënyrat se si mund të aplikohet dhe kush ka drejtë ta bëjë këtë.

“Menjëherë pasi ligji të hyjë në fuqi, Trusti do ta bëjë të ditur uebfaqen ku do të mund të aplikohet për 10%-shin si dhe do të japim detajet për aplikim.
E përsërisim këtu që të gjithë kontribuuesit e interesuar ta kenë parasysh që:
1) Aplikimi për tërheqjen e 10%-shit do të bëhet vetëm përmes internetit (do të jetë një uebfaqe e veçantë, që do ta bëjmë publike sapo të hyjë ligji në fuqi) dhe jo fizikisht në zyrën e Trustin.
2) Aplikimi për tërheqje mund të bëhet nga çdo kontribuues që ka mjete në Trust.
3) Aplikimi mund të bëhet vetëm me llogari bankare aktive personale në Kosovë (jo me llogari bankare të familjarit apo kujtdo tjetër).
4) Aplikimi me llogari bankare jashtë Kosovës nuk mund të bëhet.
5) Aplikimi me llogari bankare të biznesit nuk mund të bëhet”,  thuhet në njoftim.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës sot kanë votuar në lexim të dytë Projektligjin për rimëkëmbje ekonomike. Ky projektligj në tersi me amendamente mori 72 vota pro dhe asnjë kundër./21Media