Kurti: Ahtisaari ishte kampion i paqes

(Lajm i përditësuar)


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur ngushëllime për vdekjen e ish-kryenegociatorit për statusin e Kosovës, Martti Ahtisaarit.

Ai, me anë të një postimi në X, ka shprehur ngushëllime për familjen dhe popullin e Finlandës pasi ai kishte qenë ish-president.

“I pikëlluar për vdekjen e Martti Ahtisaarit, një diplomati i shquar dhe një kampion i paqes, i cili ka kontribuar shumë për sigurinë dhe paqen në rajonin tonë dhe puna e të cilit ka përfshirë të drejtat e forta të pakicave në Kushtetutën tonë. Ngushëllimet e mia familjes së tij dhe popullit të Finlandës”, ka shkruar Kurti.


Krasniqi: Lamtumirë, president Ahtisaari

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Memli Krasniqi, ka thënë se ish-presidenti i Finlandës Martti Ahtisaari, tërë jetën kontriuboi për të sjellë paqe e stabilitet në botë.

“Punën, empatinë dhe mbi të gjitha, kompasin e tij moral, pati fatin e mirë që ta përjetoj edhe Kosova”, Krasniqi.

Ai shtoi se Ahtisaari ishte në anën e Kosovës edhe gjatë bombardimeve të NATO-s.

“Presidenti Ahtisaari, si ish i dërguar special i OKB-së për statusin e Kosovës, përpiloi Planin Gjithëpërfshirës për shpalljen e Kosovës shtet të pavarur, sovran dhe demokratik”, theksoi ai.

Kreu i PDK-së tha se ish-presidenti finlandez në rastin e Kosovës asnjëherë nuk kishte dyshime se kush ishte viktima edhe kush agresori.

“Edhe në kulmin e suksesit të tij, kur fitoi Çmimin Nobel për Paqe, mesazhi i tij ishte i qartë: “Kosova është e pavarur dhe do të mbetet e tillë”!”, shtoi kreu i PDK-së.

“Faleminderit për të gjitha, Presidenti Ahtisaari! Gjithmonë do të kujtohesh në vendin tonë”, tha Krasniqi.


Lajçak thotë se Ahtisaari ishte gjigant i politikës së jashtme

Emisari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka reaguar për vdekjen e ish-presidentit finlandez Martti Ahtisaari.

Ai e ka cilësuar Ahtisaarin gjigant të politikës së jashtme.

“I pikëlluar për ndarjen nga jeta të ish-presidentit finlandez dhe laureatit të Nobelit, Martti Ahtisaari. Një gjigant shumë i respektuar i politikës së jashtme. I vlerësova pa masë njohuritë, vizionin dhe vlerësimet e tij. Ai dikur tha se paqja është çështje vullneti, kjo mbetet më e vërtetë se kurrë”, ka shkruar ai në platformën X të njohur më par si “Twitter”.


Liderët përkujtojnë Martti Ahtisaarin

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur ngushëllime për kryenegociatorin për statusin e Kosovës, Martti Ahtisaarin, që vdiq të hënën. Ajo ka thënë se Ahtisaari ishte njeriu që ia kushtoi jetën paqes, diplomacisë dhe njerëzimit.

“Sot iku nga kjo botë një figurë madhështore e skenës globale politike, kryenegaciatori për statusin e Kosovës, ish-presidenti i Finlandës, Martti Ahtisaari. Presidenti Ahtisaari ishte njeriu që tërë jetën e tij ia kushtoi paqes, diplomacisë dhe të mirës për njerëzimin dhe që pati ndikim të jashtëzakonshëm për të tashmen dhe të ardhmen tonë! Ai skaliti kornizën e shtetit tonë, teksa emri i tij do të mbetet përherë në analet e historisë së Republikës së Kosovës”, ka shkruar Osmani.

Sipas presidentes, Ahtisaari do të mbetet përherë në kujtimet e popullit të Kosovës

Për ish-presidentin e Finlandës ka shkruar edhe kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, duke e quajtur atë mik të madh të Kosovës.

“I pikëlluar për ndarjen nga jeta të ish-Presidentit Martti Ahtisaari, një mik i madh i Kosovës, njëri ndër figurat kyçe në rrugën tonë drejt shtetësisë. Populli i Kosovës i është mirënjohës gjithmonë për kontributin e tij në shtetndërtim dhe mbështetjen në fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit të Kosovës”, ka thënë Haradinaj në Facebook.

Ish-ndërmjetësuesi kryesor i Kombeve të Bashkuara për zgjidhjen e statusit të Kosovës dhe ish-presidenti finlandez, Martti Ahtisaari, ka vdekur të hënën në moshën 86-vjeçare.

Back to top button