BE: Pretendimet se kemi hequr dorë nga “marrëveshja e madhe” janë të pasakta

Deklarohet Kurti

(Lajm i përditësuar)
Bashkimi Evropian e ka demantuar Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, i cili sot tha se Shefi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka hequr dorë nga propozimi franko-gjerman për normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka thënë se ata vazhdojnë të qëndrojnë fuqishëm pas këtij propozimi dhe se i inkurajojnë palët që të bien dakord me tekstin “sapo të jenë gati t’ia dëshmojnë komunitetin ndërkombëtar se janë të afta të pranojnë zgjedhjet evropiane”.
Sipas Stanos, tash është thelbësore që të dy palët të shmangin përshkallëzimin e situatës.
“Çfarëdo pretendimesh se Bashkimi Evropian është duke e refuzuar propozimin për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, të mbështetur nga Gjermania, Franca dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, janë të pasakta. Bashkimi Evropian vazhdon të qëndrojë fuqishëm pas këtij propozimi dhe inkujaron të dy palët që të bien dakord me tekstin sapo të jenë gati t’i dëshmojnë komunitetit ndërkombëtar se janë të afta të pranojnë zgjidhjet evropiane. Tani është thelbësore që të dyja palët të shmangin përshkallëzimin, i cili kërkon veprime të menjëhershme nga të dyja palët – Kosova të mos fillojë të shqiptojë gjoba dhe Serbia të mos lëshojë targa të reja KM. Me kërcenimet aktuale për eskalim në dhunë, nuk mund të ketë negociata për normalizim”, ka deklaruar Stano.
Ndryshe, Kurti deklaroi sot se Borrell hoqi dorë nga propozimi i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
18:53 – Gërvalla: Asnjëherë me qetësimin e ngatërrestarëve dhe kriminelëve, vetëm me shtetin ligjor
Ministrja e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla ka thënë se Kosova mbetet e përkushtuar për dialogun, për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
“Kjo mund të arrihet në mënyrë të qëndrueshme vetëm me zgjidhje të drejta, me njohjen reciproke në qendër. Asnjëherë me qetësimin e ngatërrestarëve dhe kriminelëve, vetëm me shtetin ligjor”, ka shkruar Gërvalla në Twitter.


17:01- Kurti akuzon Borellin se hoqi dorë nga marrëveshja e madhe

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, është prononcuar pas takimit që ka pasur në Bruksel lidhur me arritjen e marrëveshjes për targat.
Ai e fajësoi shefin e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, se hoqi dorë nga propozimi i BE-së për normalizmin e marrëdhënieve Kosovë -Serbi.
Kurti tha se afati ishte caktuar për në marsin e vitit 2023.
“Me keqardhje mund të them që ndërmjetësit, në këtë rast Borrell hoqi dorë nga ky afati i marsit të vitit 2023 dhe nga propozimi i BE-së për normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Po them me keqardhje sepse vetë e kanë propozuar marsin e vitit 2023 dhe në anën tjetër propozimi është i Bashkimit Evropian. Kur u takuam në Paris në Forumin për Paqe, Borrell tha se propozimi nuk është Franko-Gjerman, por i BE-së dhe i mbështetur nga Franca dhe Gjermania. Sot ai hoqi dorë nga propozimi i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serb. Unë jam i gatshëm që të vijë këtu të zhvillojë takime gjithmonë me strukturën dhe rendin e njëjtë. Shpresoj që BE ti rrijë prapa propozimit të vetë për normalizimin e marrëdhënieve të Kosovës dhe Serbisë”, tha Kurti./21Media

Back to top button