Kurti bëri homazhe në varrezat e Abrisë së Epërme: Gjaku i tyre s’do të humbë kurrë

Sot, në përvjetorin e 23-të të masakrës në familjen Deliu, në Abri të Epërme të Drenasit, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me nënkryetaren e Kuvendit, Saranda Bogujevci e deputetë, kanë vënë kurora lulesh e kanë bërë homazhe para varreve të dëshmorëve.
Pas homazheve, siç është informuar, kryeministri Kurti ka thënë se si krerë të institucioneve të Republikës e kanë për obligim që të angazhohen me krejt çfarë munden për drejtësinë për ta, meqenëse as urdhërdhënësit e as ekzekutorët nuk janë ndëshkuar.
“As emri i tyre nuk do të harrohet kurrë e as gjaku i tyre nuk do të humb kurrë. Në këto varre pushojnë të vrarët, që sipas datëlindjeve, kanë qenë foshnje 3 muajshe deri te pleq 93 vjeçar, tha ai. Është dëshmi e gjenocidit serb në Kosovë që ka dashur ta shfaros popullin tonë nga trojet e veta autoktone. Bashkë me neve është edhe Mentori, i cili e mban mend masakrën e 26 shtatorit të vitit 1998 meqë në atë kohë ka qenë 9 vjeç dhe dy motrat e tij, 14 vjeçare dhe 16 vjeçare janë vrarë në atë masakër bashkë me babën e tij dhe axhën e tij”, ka deklaruar Kurti.
Ndryshe, sot janë bërë 23 vjet nga masakra e Abrisë së Epërme. Më 26 shtator 1998, në Abri të Epërme, forcat serbe kanë kryer një nga masakrat më të tmerrshme gjatë luftës në Kosovë. Në atë ditë janë masakruar 23 anëtarë të familjes Deliu, në mesin e tyre gra, fëmijë e pleq, nga mosha gjashtë muajsh deri në 94 vjeç./21Media

Back to top button