Kurti dhe Ipeshkvi Dodë Gjergji flasin për rregullimin e statusit juridik të Kishës Katolike

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, është pritur sot në takim nga Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës, imzot Dodë Gjergji.
Në komunikatën për media u bë e ditur se në këtë takim u theksua përkushtimi i Qeverisë për garantimin dhe respektimin e plotë të lirisë fetare, në mënyrë të barabartë, për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.
Kurti shprehu mirënjohje për përkrahjen dhe kontributin e dhënë nga Ipeshkvia e Kosovës. Ai e falënderoi Ipeshkvin për bashkëpunimin për Projektligjin për liritë fetare.
Duke biseduar për rëndësinë e rregullimit të statusit juridik të Kishës Katolike, u konfirmua përkushtimi i Qeverisë për ta rregulluar përmes ligjit.
Në takimin e përbashkët me këshilltaren ligjore të kryeministrit, Tea Blakaj Hoxha, u bisedua për liritë fetare dhe trashëgiminë kulturore. U ritheksua mbrojtja e tyre përmes Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe ligjeve të veçanta.

Back to top button