Kurti dhe Nenad Çanak bisedojnë për çështjen e të pagjeturve
Çështja e personave të pagjetur nga lufta në Kosovë ishte tema kryesore e takimit të Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe deputetit të LVV-së në Kuvendin e Kosovës, Hydajet Hyseni, me kryetarin e Lidhjes Socialdemokrate të Vojvodinës, Nenad Çanak.
Kurti dhe politikani opozitar në Serbi u pajtuan se Serbia duhet t’i hapë arkivat dhe të japë informacione për varrezat masive që dyshohet se ndodhen në territorin e saj.
Në takim kryeministri Kurti e njoftoi Çanak se janë 1632 persona që konsiderohen të zhdukur dhe theksoi se qeveria do të angazhohet maksimalisht për të gjithë të pagjeturit, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike.
“Në takim u diskutua për nevojën e forcimit të socialdemokracisë në rajon, dialogun e ri për statusin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që bazohet në barazi, siç është edhe njohja e ndërsjellë”, bëhet e ditur në një komunikatë dërguar për media.
Çanak e njoftoi kryeministrin Kurti me situatën politike në Serbi, ngufatjen e zërave të mirëfilltë opozitarë dhe të mediave nga pushteti aktual./21Media