Kurti dhe Ozer diskutojnë për bashkëpunimin në arsim

Bashkëpunimi në arsim dhe aftësim profesional ndërmjet Kosovës dhe Turqisë ishin tema e takimit të kryeministrit Albin Kurti, me ministrin e Arsimit Kombëtar të Turqisë, Mahmut Ozer.
Në takimin e përbashkët me ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci dhe ministrin e Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, u bisedua për planet e përbashkëta që pritet të konkretizohen me një marrëveshje të bashkëpunimit mes dy shteteve me fokus në fushën e teknologjisë së informacionit, zhvillimit profesional të mësimdhënësve, arsimit të lartë, si dhe programet e shkëmbimit të studentëve e profesorëve.
Kurti falënderoi ministrin Ozer për përkrahjen e dhënë nga shteti turk për Kosovën, e veçanërisht mbështetjen në projekte të arsimit, si burim i rëndësishëm për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik e shoqëror të Kosovës.
Ai vuri theksin te objektivi i Qeverisë për të bërë ndërlidhjen e arsimit me tregun e punës, dhe për synimin për të kthyer vëmendjen e punës kah dija dhe arsimi, kah hulumtimi e inovacioni.
Kryeministri potencoi zotimin e Qeverisë për mundësi të barabarta dhe gjithëpërfshirje në arsim për fëmijët nga grupet e margjinalizuara, drejt zvogëlimit të hendekut në arritjet arsimore të komuniteteve dhe personave me nevoja të veçanta.
Ozer theksoi gatishmërinë për të vazhduar përkrahjen për arsimin në Kosovë në çfarëdo forme të nevojshme.
Duke shprehur kënaqësinë që vizita e parë e tij si ministër jashtë vendit po realizohet në Kosovë, ai u shpreh i lumtur me stabilitetin dhe prosperitetin në Kosovë, si dhe bashkëjetesën mes komuniteteve, që përfshinë edhe qytetarët turq./21Media

Back to top button