“Zgjoi” nis shfaqjen në kinematë e Kosovës si rrëfim inspirues për shoqërinë

Në konferencën për media, që u mbajt sot në ”Cineplexx”,ekipi i filmit ”Zgjoi” zyrtarisht ka bërë të ditur nisjen e shfaqjes së filmit në kinematë e vendit. Ndërsa sonte nga ora 18:00, po ashtu në ”Cineplexx” mbahet premiera e mbyllur nën patronatin e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.
Regjisorja, Blerta Basholli ka thënë se shpreson që filmi të ngrit një diskutim rreth çështjeve gjinore e patriarkatit.
”E dimë që një film nuk mjafton mirëpo edhe Fahrija kur ka filluar me biznesin e saj, në fakt ka bërë më shumë se biznes, i ka afruar gjithë ato gra rreth vetës dhe në një mënyrë i ka inkurajuar edhe ato që ta vazhdojnë jetën sado që është e vështirë. Edhe ajo ka menduar që nuk ka për të bërë shumë, por ka bërë ndoshta më shumë se çdo kampanjë e vetëdijesimit”, ka thënë Basholli.
Edhe aktorja, Yllka Gashi ka theksuar se Fahrije Hoti ka qenë udhërrëfyese e grave të Krushës së Madhe dhe se u ka hapur atyre rrugë dhe është kthyer në një inspirim për të gjithë.
”Fahrija ende përballet me pikëpyetje të madhe në lidhje me fatin e burrit të saj, ende e ka në mesin e personave të zhdukur, megjithatë ka gjetur forcë përkundër paragjykimeve e pengesave, prej rrethit e shoqërisë, që ta ngrit vetën intelektualisht e të pavarësohet materialisht. Me atë pavarësim të saj ka ndihmuar edhe komunitetin, shoqet e saj”, ka thënë Gashi.
Ka shtuar se rrëfimi i saj bart mesazhin që ekipi dëshiron që publiku ta marrë.
Producenti, Yll Uka ka thënë se tashmë ka nisur shfaqja e filmit në vend dhe së shpejti pritet të nis edhe në SHBA. Ka shtuar se janë duke punuar edhe për promovim të filmit për “Oscars”, EFA”, “BAFTA” e çmime të tjera të rëndësishme në kinematografi.
”Kampanjës veç se ia kemi filluar, ajo kampanjë vlen për ‘Oscars’ por edhe çmime të tjera. Kemi bërë kërkesë në QKK për mbështetje por akoma nuk kemi përgjigje zyrtare. Kemi biseduar edhe me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe janë duke u koordinuar me institucionet e tjera që të ndahet një buxhet më i madh
dhe të rregullohet një herë e përgjithmonë puna e buxhetit për promovim të filmave”, ka thënë ai.
E producenti, Valon Bajgora ka treguar se përveç në ”Cineplexx” – e nga 29 teori edhe në ”Cinemarine” në Prizren – “Zgjoi” do të shfaqet dhe në Maqedoni e Shqipëri./21Media

Back to top button