Një muaj paraburgim për zyrtarin që ndërhyri pa autorizim në sistemin kompjuterik të AKI-së
Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj të pandehurit M.K pasi që i njëjti ka kryer 5 vepra vepra penale: ”Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, ”Keqpërdorimi i informatës zyrtare”, ”Hyrja në sistemet kompjuterike”, ”Zbulimi i informacioneve të klasifikuara dhe mos ruajtja e informacioneve të klasifikuara” dhe ”Fotografimi dhe incizimet tjera të paautorizuara”.
”I pandehuri M.K. dyshohet nga Prokuroria se në cilësinë e personit zyrtar, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar ka tejkaluar kompetencat e tij dhe nuk i ka përmbush detyrat zyrtare të tij, në atë mënyrë që pa autorizim ka ndërhyrë në sistemin kompjuterike të AKI-së dhe me këtë dyshohet se ka kryer veprat penale të cekura më lartë”, thuhet në komunikatë.
Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake, ka ardhur në përfundim se kërkesa e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda është mirë e bazuar, në këtë fazë të procedurës.
Kundër këtij aktvendimi palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës./21Media