​Kurti dhe Vickers diskutuan për sektorin e energjisë dhe investimeve të huaja

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka mirëpritur në takim deputetin e Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar nga radhët e Partisë Konservatore, njëherësh i dërguari për Tregti i Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Martin Vickers.
Kryeministri i uroi Vickers mirëseardhje përsëri në Kosovë, teksa e falënderoi atë për takimin dhe mikpritjen gjatë vizitës tij në Mbretërinë e Bashkuar në fillim të muajin nëntor.
Sipas një komunikate të Qeverisë, u diskutua për bashkëpunimin e deritanishëm dhe të mëtejmë të tij në fushën e ekonomisë, shkëmbimeve tregtare, energjisë, mbrojtjes dhe kulturës.
Vëmendje e veçantë iu dha sektorit të energjisë dhe investimeve të huaja.
Kryeministri Kurti e njoftoi deputetin Vicerks për veprimet e Qeverisë dhe planet për sektorin e energjisë, me fokus burimet e energjisë së ripërtëritshme dhe efiçiencës energjetike. Ai gjithashtu foli për potencialin që Kosova ka për investitorë të huaj dhe se diaspora jonë mund të shërbejë si urë lidhëse për investitorë britanikë.
Duke marrë parasysh ekspertizën e Mbretërisë së Bashkuar në energji të ripërtëritshme, deputeti Vicker u shpreh se do të inkurajojë kompanitë britanike që të hulumtojnë mundësitë në Kosovë. Ai po ashtu e vlerësoi pozitive faktin që nga tash e tutje agjencia qeveritare, UK Exports Finance është e disponueshme edhe për Kosovën, që sipas Vicker, do të tërheqë edhe më shumë kompani nga Mbretëria e Bashkuar në Kosovë.
Në këtë takimi, deputeti Vicker ishte i shoqëruar nga ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovës, Nicolas Abbott.

Back to top button