Kurti dhe Vitia ftojnë qytetarët të marrin edhe vaksinën AstraZeneca
Kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Shëndetësisë Arben Vitia, u kanë bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që të vaksinohen për t’u mbrojtur nga COVID-19.
Në një konferencë për media, Kurti ka thënë se qytetarët nuk duhet të përcaktohen vetëm tek vaksina Pfizer.
“U bëj thirrje qytetarëve, që gjatë dy javëve pas vaksinës edhe të parës edhe të dytës të kenë shumë kujdes. I ftoj qytetarët të mos përcaktohen vetëm për Pfizer, unë i kam marrë dy doza AstraZeneca. Gjendja e rëndë e cila ndodhemi është për shkak të variantit Delta”, ka thënë Kurti.
Kurse, ministri Vitia ka thënë se Delta është variant tepër i rrezikshëm dhe shpërndahet më shpejtë se gripi sezonal, shkruan rtv21.tv
Sipas tij, ky variant brenda pak ditësh ka eksploduar në Kosovë, dhe për dallim nga varianti i parë, ka karakteristikë kërcyese, duke shtuar se në vendet që nuk ka imunitet shpërndahet shumë shpejtë.
Tutje ministri ka theksuar se numri i hospitalizimeve do të rritet në ditët në vazhdim, përkundër që pritet rënie e numrit të rasteve.
Edhe Vitia ka bëtë thirrje që qytetarët të marrin vaksinën AstraZeneca./21Media