Kurti dhe Vuçiq pritet të takohen të hënën në Bruksel

Takimi mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq, pritet të zhvillohet të hënën, më 21 nëntor, ka mësuar Radio Evropa e Lirë nga burimet e saj diplomatike.
Edhe pse mbajtja e takimit u konfirmua të premten, momenti i saktë i takimit nuk u caktua pasi gjithçka varej nga disponueshmëria e palëve dhe aspektet logjistike.
Takimi mes palëve pritet të ndodhë në ditën kur sipas planit të Qeverisë parashihet të nis zbatimi i fazës së dytë për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe, e cila parashe gjobë prej 150 euro.
Më herët gjatë ditës, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës i tha portalit rtv21.tv “Me shumë gjasë nesër do të ketë një takim në Bruksel. Kur të konfirmohet, do të ju njoftojmë.”, tha Kryeziu.
Pavarësisht se ende nuk është bërë publike agjenda, takimi pritet të përqendrohet në uljen e tensioneve mes dy vendeve.
Më 18 nëntor zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, ka thënë se kanë ftuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në një takim për të gjetur zgjidhje për targat ilegale serbe.
Që nga 1 nëntori kur Qeveria e Kosovës ka nisur zbatimit të planit për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe, tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë rritur. Faza e parë e planit për targa përfshin qortimin e shoferëve që ngasin makina me targa të paligjshme.Kurse faza e dytë sipas këtj plani nis më 21 nëntor dhe parasheh gjoba prej 150 euro, për të gjithë vozitësit e makinave me targa ilegale serbe./21Media

Back to top button