Kurti diskutoi me deputët të Kuvendit të Shqipërisë për politikën e jashtme të të dyja shteteve

Kryeministri, Albin Kurti ka pritur në takim një delegacion të deputetëve të Partisë Socialiste të Kuvendit të Shqipërisë që udhëhiqej nga kryetari i Grupit parlamentar, Taunlant Balla.

Bashkëpunimi dhe bashkërendimi i veprimeve, në veçanti në politikën e jashtme të të dyja shteteve, ishin tema kryesore e takimit.
Kurti është shprehur i nderuar për vizitën e delegacionit të deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë dhe u pajtuan se ka shumë mundësi bashkëpunimi ndërmjet institucioneve të të dyja shteteve.

Madje në kohën e krizës energjetike që ka përfshirë Evropën dhe rajonin, kryeministri Kurti vuri theksin sidomos te bashkërendimi i politikave energjetike. Sipas tij bashkërendim politikash nevojiten edhe në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, tha ai dhe shtoi se blerja e objekteve dhe vendosja e ambasadave në ambiente të përbashkëta do të kursente buxhetet dhe do të lehtësonte bashkëpunimin.

Pjesë e delegacionit ishin znj. Anila Denaj, zëvendëskryetare e Grupit Parlamentar të PS në Kuvendin e Shqipërisë, z. Arben Pëllumbi, kryetar i Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese, Tregtisë dhe Mjedisit, znj. Gerta Duraku, deputete e Qarkut të Kukësit, z. Benet Beci, deputet i Qarkut të Shkodrës, z. Alqi Bllako, deputet i Qarkut të Tiranës dhe Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Kosovë, z. Qemal Minxhozi.

Në takim ishin të pranishëm edhe udhëheqësja e Grupit Parlamentar të “Vetëvendosjes” në Kuvendin e Republikës së Kosovës, znj. Mimoza Kusari dhe deputeti z. Gani Krasniqi. /21Media

Back to top button