Kurti diskuton me biznesmenët e diasporës

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me zëvendësministren në detyrë në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, dhe shefin e stafit të tij, Luan Dalipi, sot kanë zhvilluar një bashkëbisedim virtual me përfaqësuesit e Rrjetit Global të Bizneseve të Diasporës Shqiptare nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanadaja, Evropa dhe Australia. 

Në kuadër të këtij takimi është diskutuar për rolin e qeverisë në lehtësimin e investimeve të huaja direkte, si dhe planin për krijimin e Këshllit Nacional për Investimet e Huaja dhe Strategjike, që do të vendoset në kuadër të Zyrës së Kryeministrit. Gjithashtu, Kurti i njoftoi pjesëmarrësit e këtij takimi virtual që këtë javë, së bashku me Qeverinë Gjermane, është lansuar thirrja per t’iu bashkuar Parkut të Trajnimeve dhe Inovacionit (ITP) në Prizren. ITP në Prizren do të shërbejë si një pikë qëndrore në rajonin e Ballkanit Perëndimor për inovacion, zhvillim të ndërmarrësisë dhe biznesit. 

Sipas një komunikate për media, Kurti theksoi se “derisa jemi ende duke punuar me vëmendje të plotë në menaxhimin e pandemisë COVID-19, bashkë me Ministrinë e Shëndetësisë dhe në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike kemi filluar lehtësimin e masave në përputhje me situatën epidemiologjike. Urojmë që së shpejti do të hapim kufijtë e Kosovës për bashkatdhetarët tanë.”

Në fund, Kryeministri në detyrë siguroi të ata se Qeveria që ai drejton është duke punuar që të krijojë të gjitha kushtet për bizneset nga diaspora për të investuar në atdhe.

Kurti gjithashtu ka falënderuar ata për angazhimin e tyre në Kosovë./21Media

Back to top button