Kaloni te përmbajtja kryesore

Kurti: Do të ju ndihmojmë të gjithëve…

Kryeminstri i Kosovës, Albin Kurti mori pjesë në konferencën “Përgjegjësia institucionale për të drejtat e njeriut” organizuar nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë – YIHR.

Kurti deklaroi se “ndërtimi i një shteti me institucione demokratike funksionale është mënyra se si në demokraci materializohen të drejtat dhe liritë tona, të cilat janë bazë e një shoqërie demokratike”.

Qeveria e Kosovës tashmë e ka miratuar Programin për të Drejtat e Njeriut 2021-2025, duke synuar zhvillimin socio-ekonomik të bazuar mbi largimin e pengesave ndaj përmbushjes së të drejtave dhe lirive themelore, përfshirë atyre ekonomike, që do të ndihmojnë qytetarin të punojë, konsumojë, kursejë dhe të jetojë me dinjitet e në paqe, tha ai.

Kurti theksoi se pavarësisht se sa të avancuara të jenë ligjet tona, sa të pavarura e profesionale të jenë institucionet e gjykatat tona, demokracia kërkon çdoherë pjesëmarrjen aktive të qytetarëve.

“Do të ju ndihmojmë të gjithëve, e konsiderojmë njësoj secilin dhe gjithashtu me vëmendje të veçantë që të rritet vetëdija për pakicat të të gjitha llojeve, të përmirësohet pozita e secilës kategori shoqërore dhe në veçanti e kemi shpallur vitin 2022 “Viti personave me aftësi të kufizuara’’, shtoi kryeministri.

Duke ritheksuar përkushtimin e Qeverisë që të drejtat e njeriut të avancojnë në shtetin tonë dhe respektimi i tyre të bëhet plotësisht, kryeministri tha se do të merren parasysh promovimi, respektimi dhe garantimi i të drejtave të njeriut dhe të drejtave të pakicave në vendimet dhe punën e Qeverisë për çdo ditë e në çdo vendim./21Media 

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button