Kurti: Do të stabilizohet sistemi elektroenergjetik
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë sot se sistemi elektroenergjetik i Kosovës do të stabilizohet, si dhe do të ulet kostoja e importit të energjisë.
Në konferencën e organizuar nga Korporata e Sfidave të Mijëvjecarit (MCA Kosova), lidhur me procedurat e parakualifikimit për Dizajnimin dhe Ndërtimin e Sistemeve të Mëdha për Ruajtjen e Energjisë përmes Baterive, Kurti premtoi se do të rritet siguria dhe besueshmëria e furnizimit me energji si për amvisëri ashtu edhe për biznese.
Kurti ka thënë se qeveria e ka të qartë se ndërtimi i kapaciteteve të reja nuk mjafton, por sipas tij ekzekutivi i vendit po sigurohet që të ndërrojë infrastrukturën e duhur për t’i mbështetur kapacitetet e reja në fushën e energjisë.
“Është mirë që vitin ta fillojmë me një sukses të këtillë për sektorin e energjisë. Për dekada të tëra Kosova është përballur me vështirësi, ne nuk kemi pasur nevojë vetëm për investime, por për një vizion që sjell rezultate që nuk mund të kthehen mbrapa. I kemi vënë vetës synime ambicioze, dhe kemi caktuar një vizion sa është i sodit edhe largpamës. Ne e kemi të qartë që ndërtimi i kapaciteteve të reja nuk mjafton, ne po sigurohemi që të ndërrojmë infrastrukturën e duhur për t’i mbështetetur kapacitetet e reja. Po hapim zyrtarisht procesin e parakualifkimit për ndërtimin e sistemeve të ruajtjes së energjisë me bateri të cilët të cilët do t’i vendosim në Ferzaj dhe Istog”, tha ai.
Ai tha se do të rritet siguria dhe besueshmëria e furnizimit me energji si për amvisëri, ashtu edhe për biznese.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka theksuar se rezervat e energjisë që do të ndërtohen përmes këtij programi, do t’i kursejnë sistemit elektroenergjetik të Kosovës një shumë prej më shumë se 15 milionë euro në vit.
Drejtori Vendor Rezident nga Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit, Rinor Gjonbalaj tha se qëllimi është që të stabilizohet furnizimi me energji dhe të ulet varësia nga eksporti.