Kaloni te përmbajtja kryesore

​Kurti ‘e adresoi’ pas fitores në zgjedhje – si e kuptojnë qytetarët fjalën ‘hajvanët’

Fushata e 9 shkurtit u karakterizua me ofendime e batuta për gati një muaj rresht, por këto të fundit kulmuan natën e zgjedhjeve kur pas rezultateve preliminare njëri nga politikanët përdori një “term” në shenjë triumfi ndaj të tjerëve që nuk tingëlloi aspak i këndshëm.

Në zgjedhjet e shkurtit, sipas rezultateve preliminare të KQZ-së, Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit doli e para, por ky i fundit për dallim nga zgjedhjet e 14 shkurtit 2021, doli me një “qëndrim të ashpër” ndaj atyre që u renditen me më pak vota se partia e tij.

Kurti në një fjalim plot emocione dhe ndjenja gëzimi për triumfin e ri të Lëvizjes Vetëvendosje përmendi fjalën “hajvanët”. Ai madje këtë e përdori më saktë duke thënë “hajvanash e hajvanat”.

“Thoshin “Buxheti i shtetit do të bëhet më I madh se bruto produkti vendor’. Çfarë hajvanash. Ose jepnin premtime për koeficient më shumë se në programin e tyre, çfarë hajvanash. Por, ka kaluar kohë e hajvanatit…”, pati thënë Kurti.

Kjo fjalë e huazuar nga turqishtja nënkupton kafshë ngarkese, budalla, njeri i trashë nga mendja.

Qytetarët tregojnë se çka kuptojnë ata me këtë fjalë. Fehmi Blakçori thotë kjo fjalë ka marrë konotacion politik, dhe se kjo fjalë në kuptimin e parë ka të bëjë me kafshë, ndërsa në kuptimin figurativë mënyra të shumta kuptimi.

“Kjo ‘hajavanat’ ka marrë konotacion politik, ne nuk i kemi votat të flasim për politikë, por nuk do të thotë që jemi indiferentë ndaj kësaj shprehjeje dhe zhvillimeve politike. ‘Hajvanat’ – kuptimi i parë ka të bëjë me kafshë, në kuptimin figurativ ka lloj-lloj kuptimi, njerëzit nëse e shtinë në ndonjë vepër artistike po në diskursin politik. Nuk meriton me i dhanë unë përgjigje atij që e ka përdor këtë shprehje”, tha ai.

Arben Gjata thotë se kjo fjalë ka të bëjë me njerëz që nuk logjikojnë dhe si fjalë përdoret në kuptimin nënçmues, dhe është e papërshtatshme të përdoret pasi çdo njeri e ka vlerën e tij.

“Kjo fjalë është fjalë turke arabe, ne popull njëherë si ‘gjo’. Nëse flasim për fjalën ‘hajvanat’ dhe ‘gjo’, kemi të bëjmë me njerëz që kanë mend, por nuk kanë logjikë. Do të thotë që është sjellje e njeriut ashtu ka e çojnë këmbët. Por, tash kjo fjalë ka kuptim nënçmues, por njerëzit që nënçmojnë ata janë vetë të nënçmuar. Nuk ka njeri pa vlerë, nuk ka njeri që nuk është i dobishëm për shoqërinë dhe vendin nëse arrijmë t’ia gjejmë vendin”, tha Gjata.

Edhe Bajram Arifaj thotë se përdorimi i fjalorit me terma ofendues është nënçmim i të tjerëve.

“Shtazë është hajvanati, lopë. Hajvan iu thonë të gjithëve. Kur t’i thotë njeriu-njeriut, shoqi-shoqit hajvan, ti e nënçmon”, tha ai.

Ndërsa ka edhe qytetarë që nuk e kuptojnë këtë shprehje. Shefqet Kosumi thotë se nuk ka përgjigje për këtë shprehje.

“Nuk e di, nuk kam përgjigje, më fal, por nuk kam përgjigje”, tha ai./kp

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button