Kurti: E kaluara e lavdishme e popullit tonë, krenaria e jonë e përbashkët
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë ceremonisë së parakalimit të trupave të FSK-së dhe të Policisë, deklaroi se në këtë 15-vjetor të pavarësisë, sot ritmi i ecjes sonë është i përcaktuar nga ritmi i hapave të këmbëve të ushtarëve dhe policëve të Kosovës.
Kryeministri u shpreh se është dashur shumë dhimbje, punë e sakrificë, që të “vijmë në këtë ditë, kur parakalojnë forcat tona të armatosura”.
“Këta djemë dhe vajza, që do të parakalojnë para nesh në sheshin qendror të Republikës, janë bijtë dhe bijat e këtij vendi, të betuar për ta mbrojtur edhe me jetën e tyre, sovranitetin e territorin si dhe rendin e ligjin e Republikës së Kosovës. Këto rrugë ku do të parakalojnë forcat tona janë rrugë kur dikur në kohëra të dhimbshme parakalonin protestuesit, demonstruesit e paarmatosur dhe është dashur shumë dhembje, shumë punë, shumë sakrificë, që të vijmë në këtë ditë, kur parakalojnë forcat tona të armatosura. Në këto rrugë, në këto sheshe, teksa ne në 15-vjetorin e pavarësisë kujtojmë Demaçin, Rugovën dhe Jasharajt. Këta tre shënues të historisë sonë më të re, së cilës përherë i rikthehemi për ta mbajtur sigurt dhe qartë rrugën përpara”, tha Kurti.
Kryeministri u shpreh se vitin e kaluar, vendi i ka bërë edhe 820 ushtarë dhe 31 oficerë më shumë, kurse sivjet edhe 612 ushtarë të rregullt më shumë dhe 388 rezervistë më shumë. Ai tha se në vitin që lamë pas, buxheti për mbrojte është rritur për 52% më shumë e siç tha, sivjet edhe për 20% të tjerë.
Ndër të tjera, Kurti tha se liria është paradigma jonë e parë dhe e pakontestueshme.
Ai theksoi se e kaluara e lavdishme e popullit tonë është krenaria e jonë e përbashkët sot.
Ai u shpreh se sa herë që festohet ditëlindja shtetit, nisemi nga kujtimet të përbashkëta për dëshmorët dhe për martirët, për paraardhësit tanë prej të cilëve e kemi trashëguar Kosovën dhe vetë jetën.
“Le të vazhdojmë bashkë përpara, sepse e kaluara e lavdishme e popullit tonë është krenaria e jonë e përbashkët sot. Por, ajo ka një peshë të pamatshme të rënduar ndër shekuj nga vlerat e paçmuara të dëshmorëve dhe heronjve që sakrifikuan gjithçka nga jeta e tyre deri në vdekje për lirinë tonë, për mbijetesën si trashëgimi, për vazhdimësinë si kolektiv, si dhe për mirëmbajtjen dhe kultivimin e popullit tonë si subjekt i historisë. Andaj, sa herë që festojmë ditëlindjen e shtetit tonë, gjithmonë nisemi nga kujtimet tona të përbashkëta për dëshmorët dhe për martirët, për paraardhësit tanë prej të cilëve e kemi trashëguar Kosovën dhe vetë jetën tonë, si dhe për secilën jetë njerëzore që ka derdhur djersë dhe gjak e që ka shkrirë mendje dhe trup për të mirën e përbashkët të këtij vendi dhe për ruajtjen e jetës e për jetesën e mirë në të”, tha Kurti, duke uruar 15-vjetorin e shtetit.
Shpallja e Pavarësisë së Kosovës është bërë më 17 shkurt të vitit 2008 në ora 15:39 në Kuvendin e Republikës së Kosovës, në Prishtinë. Në një mbledhje të jashtëzakonshme, ku kanë marrë pjesë 109 nga gjithsej 120 deputetë, Kuvendi i Kosovës njëzëri ka shpallur Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik.