Kurti e Osmani zotohen për projekte të përbashkëta

(Lajm i përditësuar)

Kryeministri Albin Kurti është takuar me ministrin e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani.

Kurti e falënderoi OSBE-në për kontributin që ka dhënë siç tha ai për demokratizimi në Kosovë, për sigurinë e vendit dhe të qytetarëve.

“Jemi shumë të lumtur të konstatojmë që marrëdhëniet tona të shkëlqyeshëm po pasohen edhe me bashkëpunim i cili rritet. Duke pasur parasysh që këtu jeni në cilësinë e OSBE-së ne jemi gjithashtu të gëzuar që do të mund të bashkëbisedojmë për çështjen e demokratizimit, të drejtat e njeriut dhe të sigurisë që janë vlerat themelorë që ne i ndajmë”, tha Osmani.

Përderisa Osmani, tha se për 20 vjet Kosova dhe OSBE-ja kanë krijuar shembuj të mirë të bashkëpunimit.

E që sipas tij, kanë ndikuar në demokratizimin e shoqërisë, qasjen ndaj komuniteteve, në promovimin e të drejtave individuale dhe ato kolektive.

Osmani: Të ulen tensionet në terren në veri të Kosovës

Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani pas takimit me Ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla dhe Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin ka thënë se OSBE-ja e mbështet dialogun Kosovë-Serbi duke u bërë thirrje dy shteteve që të ecin përpara.

”Është kyçe për ne që të kalojmë në faqen tjetër dhe të shohim të ardhmen së bashku. Tentimet për bashkëpunim rajonal duhet të jenë të afërta. Dialogu gjithmonë në rajon ka qenë i frytshëm. Në Maqedoninë e Veriut na ka ofruar mënyrë të mirë për të ecur përpara, pavarësisht sfidave”.

Osmani e ka theksuar rëndësinë e uljes së tensioneve në veri të Kosovës që dialogu të vazhdojë përpara.

“Ne e mbështesim këtë proces që kontribuon në stabilitetin rajonal. Siç e kam thënë edhe në Serbi, është e rëndësishme që të ulen tensionet në terren në veri të Kosovës, që t’i jepet hapësirë procesit politik të dialogut. OSBE-ja është e gatshme të mbështesë zbatimin e marrëveshjeve të arritura brenda dialogut”, ka thënë ai.

Osmani ka shtuar se institucionet e Kosovës duhet të bazohen në OSBE-në si burim kyç në dizajnimin dhe implementimin e reformave.

 

Presidentja priti në takim Bujar Osmanin

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka pritur në takim ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani.

Fillimisht Osmani ka takuar homologen e tij, Donika Gërvalla.

Në kuadër të vizitës së tij në Kosovë, politikani shqiptar nga Maqedonia e Veriut do të takohet edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Maqedonia e Veriut ka marrë këtë vit kryesimin e OSBE-së.

Pritjet e Osmanit janë që të vendosin vëmendjen në rolin e OSBE-së, në teren dhe në lehtësimin e pasojave që konfliktet i sjellin mbi njerëzit.

Gërvalla takohet me homologun Osmani

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla ka pritur ne takim me ministrin e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, i cili po qëndron në Kosovë në cilësinë e shefit të OSBE-së.

Takimi mes Gërvallës dhe Osmanit dhe delegacionit të tij po mbahet i mbyllur për medie.

Pas takimit të dy homologët në orën 10:00 do të kenë konferencë për media.

Ndërsa gjatë ditës së sotme shefi i OSBE-së, Bujar Osmani do të takohet edhe me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministrin, Albin Kurti.

Bujar Osmani sot në Kosovë, takohet me krerët e shtetit

Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, i cili është edhe kryesues aktual i OSBE-së, sot viziton Kosovën ku do të takojë krerët e shtetit.

Takime të ndara Osmani do të ketë me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti, dhe homologen e tij, Donika Gërvalla.

Takimi i dy ministrave pritet të nisë prej orës 9:00, ndërsa për në ora 10:00 ëhstë paralajmëruar konferencë për media.

Takimi mes Bujar Osmanit dhe presidentes Osmani nis në orën 10:25, ndërsa me kryeministrin Kurti prej orës 12:20 në ndërtesën e qeverisë, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

Back to top button