Kurti: E papërgjegjshme të thuhet se s’mund të ketë luftë në Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se është e papërgjegjshme që të thuhet se s’do të ketë kurrë më konflikt dhe një luftë tjetër sepse, siç ka thënë, përgjatë kufirit të Kosovës Serbia në territorin e saj ka 48 baza operative sulmuese progresive, 28 prej të cilave ushtarake dhe 20 të xhandarmërisë. Kurti numëroi gjithashtu një varg stërvitjesh të përbashkëta serbo-ruse në një periudhë të shkurtër kohore.
“Mos të harrojmë se Serbia po e armatos ushtrinë e saj me pajisjen që e merr nga Rusia dhe Kina dhe ajo dëshiron që në Ballkan të shndërrohet në një alternativë të perëndimit demokratik. Kjo është e rrezikshme për ne. Dhe kjo nuk është e mundshme në mënyrë demokratike. Kjo është e mundshme vetëm me një regjim autoritar, prandaj këtë e kemi në Serbi”, ka thënë Kurti për gazetën kroate Veçernji List.
Sipas Kurtit, gjëja më e rrezikshme është se lidershipi i Serbisë e konsideron Rusinë nënë të tyre dhe prandaj, tha ai, kemi rrethana të tilla në Ballkan me shumë rrezik dhe ankth.
Duke folur për kundërshtimin e tij ndaj krijimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, Kurti ka thënë se ajo do të ishte, sipas tij, parathënie e krijimit të Republikës Srpska të re. Kurti tha se përderisa serbët i kanë këto ëndrra për Kosovën si pjesë e Serbisë, ato ëndrra do të kthehen në makth për të gjithë Ballkanin dhe nënvizoi se në Ballkan nuk mund të ketë luftë pa Serbinë dhe as paqe pa shqiptarë./21Media

Back to top button