Kurti e quan Demaçin veprimtarin më unik të kombit shqiptar

 

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kandidati për kryeministër, Albin Kurti sot e quajti Adem Demaçin veprimtar më unik të kombit shqiptar.

Në tryezën që këshilli organizues i “Pranverës shqiptare 1981”, organizoi për nder të 85 vjetorit të lindjes së Demaçit, Kurti tha se ai asnjëherë nuk u thye e step nga frika.

“Është veprimtari më unik që kemi pasur sepse është veprimtari më autentik që mund të imagjinosh. Shkroi, tha dhe bëri aq shumë gjëra me peshë të rëndë politike, shoqërore dhe letrare ndonëse tentativat për ta penguar kurrë nuk munguan. Përballë Rankoviqve, titistëve dhe millosheviqve ky njeri shpirt madh dhe mendje fortë foli dhe tha të vërtetën universale të lirisë. E tha për popullin shqiptar se këtij populli i ra hise një vigani i tillë”, tha ai.

Në këtë tryezë i pranishëm ishte edhe kryetari i BDI-së në Maqedoninë Veriore, Ali Ahmeti, i cili tha se Demaçi ishte frymëzim i gjallë për të gjithë.

“Adem Demaçi nga hekurat aty ku ishte një frymëzim i gjallë për ne, veprat e tij qarkullonte në çdo vend, konvikt që nxiste dhe mobilizonte rininë për të vendosur për të ardhmërinë. Pra mësuam rezistencën nga Adem Demaçi, mësuan transparencën, i hapur dhe vendosur për qëndrimet dhe parimet e veta. Luftonte dhe mësuan të mos jemi oportunist dhe servil, por të jemi të natyrshëm sepse kështu mund të jemi më afër realizimit dhe qëllimit të misioneve”, u shpreh ai.

Ndërsa, kryetari i Shoqatës së Burgosurve Politik, Hydajet Hyseni shpreh kritik karshi institucioneve dhe njerëzve, që sipas tij, dëshirojnë ta heshtin emrin e Adem Demaçit.

“Jo vetëm në ceremoni shtetërore, madje edhe në përvjetorë të çlirimit dhe shpalljes së Republikës së Kosovës shtet i pavarur dhe sovran në mënyrë të vazhdueshme heshtet roli i Demaçit dhe personaliteteve të tjera themeltare të lëvizjes çlirimtare”, tha ai.

Gjatë ditës sot u bënë homazhe edhe pranë varrit të Adem Demaçit për nder të 85 vjetorit të lindjes së tij.

Back to top button