Kurti e quan gjenocid agresionin ushtarak rus në Ukrainë

 
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pas situatës  së krijuar në Ukrainë ka bërë thirrje që Kosova të anëtarësohet në NATO.
Ai në një intervistë për “The Independent” ka thënë se Ballkani Perëndimor është në rrezik më të madh sesa shtetet e Baltikut e Moldavia. “Pasi aty, Rusia duhet të dërgojë një pjesë të forcës së saj ushtarake e në rastin e Ballkanit Perëndimor nuk ka fare nevojë ta bëjë këtë, pasi që Serbia është vlerë shtesë në agresionin e saj ushtarak. Ne duam t’i bashkohemi NATO-s sa më shpejt të jetë e mundur. Po ashtu insistoj që NATO të jetë dukshëm më vigjilente sesa që ishte. Në Moskë e kemi një lider të fuqishëm që po shkëput çdo rrugë të ikjes së tij. Ai nuk është person që duket i gatshëm të largohet në paqe, më tepër do të synojë luftën për zgjerim. Për këtë arsye jemi në rrezik”, është shprehur Kurti.
Ai tutje sulmin rus ndaj Ukrainës e ka quajtur gjenocid.
“Ky agresion ushtarak nuk është më politik. Është gjenocid. Ju shikoni qëllimin gjenocidal, duke filluar nga logjistika e demografia. Kur e sheh se çfarë po ndodh në Kiev, e sheh se po bëhet një Sarajevë e re. Unë shoh se po ndodh një gjenocid, ku shohin territorin pa ty. Kjo po ndodh në Ukrainë”, ka thënë Kurti.
Kryeministri i Kosovës sheh ngjashmëri mes retorikave të Putinit me ato të Serbisë.
“Nuk njohin krimet e të kaluarës. Dhe në të njëjtën kohë kanë një lidhje të fortë dhe të gjerë me Rusinë, dhe sigurisht ne jemi shumë vigjilent dhe të shqetësuar, por jo të frikësuar”, tha Kurti.
Kryeministri i Kosovës ka theksuar rëndësinë e marrjes seriozisht të situatës nga NATO dhe BE-ja.
“Përvoja ka treguar se autokracitë rriten shumë më shpejt sesa demokracitë. Prandaj e mirëpres me të vërtetë vendimin e Bundestagut të dielën, për të pasur një pikëpamje krejtësisht tjetër sa i përket sigurisë dhe mbrojtjes për mirëqenien, të drejtat dhe liritë evropiane. Dua të shoh vendet e tjera të BE-së dhe NATO-s, duke e marrë situatën shumë më seriozisht dhe duke e bërë një hap përpara”, ka thënë Kurti./21Media

Back to top button