Kurti e quan “naivitet” reagimin e Blinkenit për situatën në veri

(Lajm i përditësuar)

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka quajtur naivitet dhe të padobishme reagimin e sekretarit të Shtetit amerikan, Antony Blinken, për situatën në veri.

Të premten, sekretari amerikan i Shtetit lëshoi qortim jashtëzakonisht të fortë ndaj Kosovës, duke thënë se vendimi për të përdorur forcën për të hyrë në ndërtesat komunale në veri ishte marrë “kundër këshillës” së SHBA-së dhe partnerëve evropianë dhe “tensionet u përshkallëzuan në mënyrë të panevojshme”.

Kurti shprehu pakënaqësinë e tij për këtë deklaratë, duke e cilësuar atë “zbutje” për presidentin serb Aleksandar Vuçiq.

“Mendoj se nuk është vetëm e padrejtë, e gabuar dhe lënduese, por në të njëjtën kohë shumë naive. Ndoshta sekretari Blinken do ta shpjegojë këtë më tej një ditë, por definitivisht nuk ishte e dobishme”, ka thënë Kurti për The Guardian të martën.

Kurti ka thënë se kishte folur me Gabriel Escobarin më vonë, të dërguarin special të SHBA-së për Ballkanin. Kreu i ekzekutivit ka thënë se Escobari kishte kërkuar nga autoritetet e Kosovës që të zhvendosnin kryetarët e komunave në objekte të ndryshme, ose të punonin nga shtëpia, një kërkesë që Kurti e kishte refuzuar.

“Nuk mund të kemi kryetar komunash virtual, ne jemi republikë demokratike. Një republikë demokratike nuk mund t’i dorëzohet milicisë fashiste”, ka shtuar ai.

Kurti tutje është shprehur se ka qenë fat që dje nuk ka humbur jetën asnjë pjesëtar i KFOR-it.

Më shumë se 30 ushtarë paqeruajtës të NATO-s u plagosën në përleshjet e së hënës, duke bërë që aleanca ushtarake të njoftojë se do të dërgojë 700 trupa të tjera në Kosovë. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e vendosi ushtrinë e vendit të tij në gatishmëri të lartë luftarake.

Dhuna në veri ka nisur që nga e premta, kur kryetarët shqiptarë të komunave me shumicë serbe ia mësyen objekteve komunale.


Kurti për CNN: Nuk e dorëzoj Republikën demokratike para një regjimi fashist

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se ai është duke biseduar me partnerët ndërkombëtarë, SHBA-në e BE-në, lidhur me situatën në veri të Kosovës.

Por, Kurti ka thënë se “nuk do ta dorëzojë republikën demokratike te një milici fashite”, siç i ka quajtur grupet kriminele serbe në veri.

“Të gjithë faktorët ndërkombëtarë i kanë njohur zgjedhjet që janë mbajtur më 23 prill. Kur e njeh procesin dhe rezultatet, atëherë kryetarët duhet të shkojnë në komuna. Kush tjetër duhet të jetë aty, nëse jo kryetarët. Po punojmë ngushtë me faktorët ndërkombëtarë, veçanërisht me SHBA-në e BE-në, që i konsiderojmë aleatë shumë të vlefshëm, e partnerë. Do të bëjmë më të mirën. Por, nuk do ta dorëzojë Republikën demokratike te milicia fashite”, tha Kurti një intervistë për CNN International.

Kurti ka thënë se ka dëshmi se në mesin e turmës së protestuesve, ka ultranacionalistë të krahut të djathtë, që paguhen e urdhërohen nga Serbia.

Sa i përket Asociacionit, Kurti ka thënë se “nuk i neglizhon dhe nuk i mohon dokumentet e kaluar”. Por, ai thotë se është arritur një Marrëveshje bazë në shkurt, dhe duhet sekuencuar zbatimi i saj.

Kurti ka thënë se s’mund të ketë privilegj vetëm për një minoritet në Kosovë, vetëm se “Serbia po vajton dhe ankohet për humbjen e Kosovës në vitin 1999 kur intervenoi NATO”.

“Kosova është storie suksesi e intervenimit të NATO-s, e kjo po e shqetëson Beogradin e Kremlinin”, tha Kurti.

Back to top button