Kurti e Sveçla për ligjin e pagave: Drejtësi dhe barazi për të gjithë

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka folur sot në lidhje me dy projektligje, atë për Pagat dhe për Zyrtarët Publikë.
Në një konferencë të përbashkët me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, kreu i Qeverisë tha se ka pasur shumë probleme me këto ligje, për shkak të abuzimeve që kanë ndodhur në të kaluarën.
Kurti dhe Sveçla, kanë thënë se ligji i pagave dhe ai për zyrtarët publikë kanë qenë të nevojshëm për reformë të thellë në administratën publike, që sipas tyre, tash do të ketë drejtësi dhe barazi për të gjithë.
“Jemi këtu për dy projektligje të rëndësishme, për secilin zyrtarë publikë por edhe qytetarë, projektligjin për Pagat dhe për Zyrtarët Pubikë. Këto dy projektligje janë bazë e reformës në administratën publike si një nga prioritetet kyçe të kësaj qeverie përmes së cilave synohet krijimi i sistemit të njëtrajtshëm për ta shndërruar në një administratë ku ju si qytetarë dhe biznese mund t’i qaseni lehtë dhe të merrni shërbime efikase. Ashtu siç kemi thënë, hartimi i këtyre dy projektligjeve nuk ka qenë proces i lehtë dhe i shpejtë. 40 për qind e zyrtarëve nuk dihej se ku ishin. Ka pasur 170 lloje të shtesave dhe kompensimit. Mungesë të kritereve se si janë marrë shtesat, ka pasur zyrtarë që merrnin pagë të ndryshme për punë të njëjtë. Zyrtarët tanë duhet të kenë trajtim të barabartë. Djemtë dhe vajzat tona duhet të kenë mundësi të jenë pjesë e agjencive e institucioneve duke konkurruar në konkurse ku do trajtohen në mënyrë të barabartë me gjithë zyrtarët. Këtë po e synojmë”, tha kryeministri./21Media

Back to top button