Kurti: Fëmijët janë qytetarët më të cenueshëm në Kosovë

Sot në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, kryeministri, Albin Kurti në shënim të kësak dite ka thënë se çdo fëmijë duhet të ketë mundësinë për tu rritur në një mjedis të sigurt dhe të shëndetshëm që ua mundëson të përmbushin potencialet.
Sipas Kurtit fëmijët janë qytetarët më të cenueshëm.
”Kujdesi shëndetësor për fëmijët, edukimi dhe avancimi i të drejtave të tyre ekonomike dhe sociale janë thelbësore për vete. Por gjithashtu janë shtytës për shoqëri më të qëndrueshme, më të suksesshme. Kosova e ka popullsinë më të re në Evropë, 31 për qind të popullsisë në Kosovë janë prej 0-18 vjeç, pra gati 1/3 e popullsisë janë të mitur. E të cilët janë qytetarët tanë më të cenueshëm. Është me rëndësi që t’i pyesim se çfarë mendojnë ata, e të marrim parasysh atë që thonë në hartimin e politikave për mbrojtjen e tyre. Në fakt fëmijët flasin vazhdimisht me të rriturit, prindërit, kujdestarët e tyre”, ka thënë Kurti.
Ndërsa për shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomáš Szunyog të rinjtë janë pasuria më e vlefshme në Kosovë. Sipas tij, të rinjtë duhet të kenë mundësitë e nevojshme të aftësimit dhe të barabarta për të gjitha kategoritë.
Madje, sipas tij ky është një angazhim që Kosova duhet të ndërmarrë përballë edhe procesit të integrimit në BE.
Në shënimin e Ditës Botërore të Fëmijëve, koordinatorja e OKB-së për zhvillim, Ulrika Richardson theksoi se shumë fëmijë të komuniteteve në Kosovë nuk janë të barabartë. Ajo gjithashtu ka përmendur edhe pasojat që ka sjellur pandemia për fëmijët.
”Gjysma e fëmijëve në botë janë prekur nga mbyllja e plotë ose e pjesshme e shkollave, gjysma e fëmijëve të botës, qindra milionë fëmijë do të preken për sa i përket mundësive të tyre të të mësuarit, kështu që ajo që u është privuar, nuk është vetëm mësimi formal, njohja formale por edhe socializimi mënyra e të qenit bashkë”, ka thënë ajo.
Ndërkaq, shefja e Zyrës së UNICEF-it, Nona Zicherman ka thënë se të rinjtë nga Kosova po i tregojnë botës se mund të frymëzojnë edhe shumë të tjerë.
Përmes një komunikate bëhet e ditur se në shënimin e Ditës Botërore të Fëmijëve, kryeministri, ministri i shëndetësisë dhe përfaqësues nga Ministria e Arsimit janë pyetur nga vet fëmijët për ato çfarë i preokupojnë.
Po ashtu, ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi u ka bërë thirrje fëmijëve për vaksinim në mënyrë që si pasojë e COVID-19 të mos mbyllen shkollat.
Më tej, në shënimin e kësaj dite është organizuar një ecje nga Biblioteke Kombëtare deri te Rektorati. Të shtunën e 11 nëntorit, është lansuar edhe ekspozita për fëmijët në Prishtinë./21Media

Back to top button