Kurti: Fituam krejt, ecim drejt
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti duke komentuar certifikimin e rezultateve, i cili është bërë sot ka deklaruar se fituan në referendum, gjë që është një shans i madh për Kosovën.
Kurti ka falënderuar të gjithë ata që votuar Vetëvendosjen.
“Çertifikimi i rezultateve u bë sot. Fitoi referendumi, fituam në referendum: 50,28%. Ditë e mirë për Republikën. Shans i madh për Kosovën. Ju faleminderit të gjithë qytetarëve dhe mërgatës për votën e tyre me 14 shkurt, të gjithë anëtarëve e aktivistëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE! për punën dhe angazhimin e tyre, të gjithë kandidatëve të listës sonë 127 për përfaqësimin dhe kontributin e tyre. U jam mirënjohës përzemërsisht e përjetësisht të gjithëve. Fitorja është e secilit prej jush. Fituam KREJT, ecim DREJT. Urime”, ka shkruar ai në facebook.
Sipas rezultateve, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 50.28% të votave, PDK-ja 17%, LDK-ja 12.73%, ndërkaq AAK-ja 7.12%. Lista Srpska ka fituar 10 vendet e rezervuara në parlamentin e Kosovës, ndërsa 10 vende u takojnë pakicave jo serbe.