Kurti flet me ambasadorët dhe shefat e misioneve diplomatike të Kosovës për situatën në Ukrainë

Kryeministri, Albin Kurti, së bashku me Zëvendëskryeministren dhe Ministren për Punë të Jashtme dhe Diasporë, znj.Donika Gërvalla, takoi virtualisht ambasadorët dhe shefat e misioneve diplomatike dhe konsullore të Republikës së Kosovës.
Në këtë takim të jashtëzakonshëm u diskutua për agresionin ushtarak dhe invadimin e Ukrainës nga Federata Ruse. Diplomatët tanë, me detyrë në vende të ndryshme të botës, u njoftuan nga Kryeministri Kurti dhe Zëvendëskryeministrja Gërvalla për vendimin e fundit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për vendosjen e sanksioneve ndaj entiteteve dhe individëve nga Rusia, Bjellorusia dhe dy rajonet e Ukrainës që shpallën ilegalisht “pavarësinë.”
”Me këtë veprim Republika e Kosovës u rreshtua përkrah vendeve demokratike, në këtë betejë botërore kundër diktaturës e autokracisë”, bëhet e ditur në komunikatë.
Ambasadorët tanë bënë të ditura pozicionet dhe zhvillimet e fundit të vendeve pritëse dhe vendeve të tjera që i mbulojnë. Ata po ashtu njoftuan kryeministrin dhe zëvendëskryeministren lidhur me angazhimin e tyre intensiv në përcjelljen e informacionit tek vendet që mbulojnë për pozicionin e Republikës së Kosovës, në mbështetje të integritetit territorial, sovranitetit dhe pavarësisë së Ukrainës./21Media

Back to top button