Kurti flet për takimet në Forumin Ekonomik të Vjenës

Në edicionin e 19-të të Forumit Ekonomik të Vjenës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka treguar se më kë u takua dhe çfarë ka thënë në kuadër të Forumit Ekonomik të Vjenës.
“Në edicionin e 19-të të Forumit Ekonomik të Vjenës, theksova se krahas zhvillimit të ekonomisë, Republika e Kosovës po ashtu ka shënuar përparim në fuqizimin e demokracisë. Pas diskutimit në panel, zhvillova takime të ndara me Kryeshefin Ekzekutiv të Raiffeisenbank International, Johann Strobl, Kryeshefin Ekzekutiv të Kapsch AG, Georg Kapsch, Presidentin e Industriellenvereinigung (IV), Georg Knill, si dhe Drejtorin e Kolipostës dhe Logjistikës së Postës së Austrisë, njëherit anëtar i Bordit të Postës së Austrisë, Peter Umundum”, ka shkruar Kurti në “Facebook”.
Kurti po ashtu ka thënë se foli për zgjerim të bashkëpunimit ekonomik e tregtar Kosovë-Austri, si dhe foli për takimin që pati me mërgimtarat shqiptarë në këtë shtet.
“Potencova arsyet e qëndrueshme për investime në Kosovë, si dhe mundësitë për rritje të bashkëpunimit ekonomik e shkëmbimit tregtar ndërmjet Kosovës dhe Austrisë, veçanërisht për sektorin e teknologjisë së informacionit dhe financave. Krahas qeverisjes demokratike, pozitës gjeografike dhe stabilitetit institucional, Republika e Kosovës ofron mjedis të favorshëm për investime. Veçova rritjen ekonomike, qeverisjen e mirë, borxhin e ulët publik, popullatën e re, kreative dhe të talentuar, si dhe gjykatën komerciale”, ka shkruar kryeministri.
Ndërsa, ka thënë se në mbrëmje u takua me mergimtarët në Austri.
“U shpreha mirënjohje të përzemërt për kontributin e vazhdueshëm, si pjesë kyçe e zhvillimit ekonomik, shoqëror e politik të Kosovës në çdo kohë. Qeveria e Republikës së Kosovës ka vëmendje të veçantë për mërgatën dhe kjo është reflektuar edhe në Programin tonë qeverisës, si pjesë thelbësore e zhvillimit të qëndrueshëm”, ka përfunduar ai./21Media

Back to top button