Kurti: Fondi i Ekselencës do të mbështesë iniciativat tona të shumta zhvillimore

Në takimin e ftuar lidhur me mekanizmin që do të themelojë Qeveria e Kosovës, “Fondi i Ekselencës”, sot u bisedua për mbështetjen e mundshme nga donatorët, qoftë me asistencë teknike ose me ndihmë të pjesshme financiare.
Në hapjen e diskutimit konsultativ me donatorë, për një sfidë sistematike që po përballet Qeveria e Kosovës, kryeministri Albin Kurti tha se duan t’ia shtojnë vlerën sistemit demokratik dhe t’u përgjigjen nevojave të qytetarëve.
”Një fond i tillë do të mbështesë iniciativat tona të shumta zhvillimore, do të përshpejtojë reformën në sektorin tonë publik dhe do të na ndihmojë të arrijmë objektivat tona prioritare si vend”, tha kryeministri.
Ai theksoi përkushtimin ndaj reformave dhe vizionin e Qeverisë për të mundësuar zhvillim të qëndrueshëm dhe të shpejtë, në një demokraci që funksionon mirë dhe shoqëri të drejtë.
”Dikush mendon që ky synim është shumë ambicioz, por kështu janë ëndrrat dhe shpresat e qytetarëve tanë”, tha kryeministri, duke shtuar se duhet të synojmë diçka më të mirë, më të madhe dhe të punojmë pa u lodhur drejt arritjes së saj, ndryshe puna jonë bëhet e rëndomtë. “Po, ne mund të mbërrijmë përmirësime kozmetike aty këtu, por jo transformimin që i duhet vendit tonë”, tha ai.
Kryeministri rikujtoi që për punësimin në pozitat e larta në institucione publike është intervenuar në përmirësimin e përbërjes së Komiteteve vlerësuese, që më parë përbëheshin vetëm nga zyrtarët publikë dhe tani aty bëjnë pjesë edhe specialistë të sektorit privat.
Në kuadër të këtyre ndryshimeve, siç u theksua, janë paraparë katër shtylla kryesore: rritja e shpejtë dhe e qëndrueshme ekonomike, zhvillimi i barabartë njerëzor, siguria dhe sundimi i ligjit dhe qeverisja e mirë.
Kryeministri theksoi se nevojat e Kosovës janë të mëdha, prandaj sipas tij, duhet të identifikojmë përkrahjen që na duhet për të shtyrë përpara zhvillimin dhe fuqizimin. Ai shtoi se janë bërë konsultime ndërinstitucionale të Zyrës së Kryeministrit me ministritë e linjës.
Opsioni që po e propozon Qeveria mbështetet në praktikat më të mira që i kanë ndjekur shumë shtete në Evropë dhe jashtë saj./21Media

Back to top button