Kurti fton bizneset japoneze që të investojnë në Kosovë

Gjatë ditës së fundit të qëndrimit në Japoni, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti zhvilloi një bashkëbisedim me biznese të mesme dhe të mëdha japoneze në kuadër të Forumit Ekonomik të organizuar nga Instituti Japonez për Investime të Jashtme.
Në adresimin hyrës, kryeministri Kurti fillimisht shprehu falënderimin e tij dhe të popullit të Kosovës për mbështetjet e vazhdueshme që i ka dhënë Japonia Kosovës në zhvillimin e shumë sektorëve me rëndësi.
Përfaqësuesit e bizneseve në këtë forum u njoftuan me zhvillimet e fundit në Kosovë dhe me indikatorët më të fundit ekonomik dhe demokratik të vendit.
Kryeministri Kurti dhe ministri i Financave, Hekuran Murati, prezantuan para tyre karakteristikat kryesore të vendit dhe pse ato e bëjnë Kosovën vend tërheqës për investime të huaja. Ata ndër të tjera veçuan pozitën gjeografike të Kosovës, popullsinë e re dhe fuqinë punëtore të re dhe të talentuar.
Kurti i ftoi bizneset që ta vizitojnë Kosovën dhe të hulumtojnë mundësitë e investimeve që vendi ynë ofron./21Media

Back to top button