​Kurti fton kompanitë gjermane ta vizitojnë Kosovën

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë qëndrimit në Gjermani ka marrë pjesë në ceremoninë hapëse të Forumit Ekonomik “Global Connect 2022”. Aty përveç prezantimit ka vizituar shtadin e Republikës së Kosovës në këtë forum.
“Bashkë me ambasadorin e Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, patëm dy takime shumë pozitive me ministren e Ekonomisë, Punës dhe Banimit, Dr. Nicole Hoffmeister-Kraut dhe Sekretarin e Shtetit për Koordinim Politik dhe Evropë të landit të Baden-Württemberg, Florian Hassler. Me ministren Hoffmeister-Kraut folëm për mundësitë e reja të bashkëpunimit, veçanërisht në fushën e ekonomisë dhe shkëmbimeve tregtare, dhe për mundësitë që Kosova ofron për bizneset gjermane. Kurse me Sekretarin Hassler, folëm për rolin e rëndësishëm të diasporës dhe agjendën dhe aspiratat e Republikës së Kosovës për integrim euro-atlantik. Nga të dy, morëm mbështetje për punën dhe synimet tona”, ka thënë Kurti.
Kurti ka njoftuar po ashtu se, me ftesë të Këshillit Ekonomik Wirtschaftsrat der CDU, ka pasur drekë pune me përfaqësues të kompanive anëtare, dhe përfaqësues politikë të nivelit lokal dhe federal.
“I ftova që të vizitojnë Kosovën për të parë nga afër përparësitë edhe kushtet që vendi ynë ofron për investime të huaja. Po ashtu, vizitova Baden-Württemberg Stiftung, i themeluar në vitin 2000 si Fondacion Shtetëror e që aktualisht është një nga fondacionet më të mëdha të së drejtës private në Gjermani, për të diskutuar bashkëpunimin e mundshëm në fushën e shkencës dhe edukimit”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Kryeministri ka takuar edhe studentë dhe shoqata shqiptare që veprojnë në Baden-Württemberg. Falënderues për mikpritjen e ngrohtë, kontributin e vazhdueshëm dhe interesimin për zhvillimet në vend dhe zhvillimin e vendit.

Back to top button