Kurti i dërgoi letër Truss-it: Presim me padurim udhëheqjen tuaj për ta ndihmuar Evropën

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i ka dërguar letër urim Liz Truss, me rastin e emërimit si Kryeministre e Mbretërisë së Bashkuar.
“Kontinenti ynë përballet me sfida të shumta, që kërkojnë një përgjigje të koordinuar dhe unë ndihem i lehtësuar nga vizioni i qartë, që e theksuat në dy takimet tona në fillim të këtij viti. Ndërsa përballemi me pasojat e pandemisë Covid-19, krizën e energjisë dhe koston e rritur të jetesës, së bashku me autoritarizmin në rritje dhe agresionin e paprovokuar të Rusisë kundër Ukrainës, ne presim me padurim udhëheqjen tuaj për ta ndihmuar Evropën dhe pjesën tjetër të botës të navigojnë nëpër këto kohë të vështira. Ju lutem, të jeni e sigurt se, teksa e bëni këtë, mund të mbështeteni në partneritetin, bashkëpunimin dhe solidaritetin e Kosovës, ka shkruar kryeministri.
Kurti, siç ka bërë të ditur zyra e tij,  ka shprehur mirënjohjen e Republikës së Kosovës për mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar në luftën tonë çlirimtare kundër një regjimi gjenocidal.
Në përmbyllje të letër urimit, kryeministri Kurti ka ftuar kryeministren Truss për vizitë në Kosovë, në mundësinë e parë të përshtatshme për të.
Ndryshe, para dy ditësh, Liz Truss është bërë zyrtarisht kryeministre e Mbretërisë së Bashkuar pasi është ftuar për të formuar një qeveri të re nga Mbretëresha në Balmoral./21Media

Back to top button