Kaloni te përmbajtja kryesore

Kurti i kërkon ministrit të Forcave të Armatosura të Britanisë rritje bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes

(Lajm i përditësuar)

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti në takim ministrin e shtetit për Forcat e Armatosura të Mbretërisë së Bashkuar, James Heappey.

Në takim u bisedua për marrëdhëniet e shkëlqyera në mes Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar dhe për mundësitë që të rritet edhe më tej bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes.

Kurti e falënderoi për vizitën dhe mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës në të gjitha fazat e zhvillimit të saj, teksa e uroi për kurorëzimin e Mbretit Charles III dhe Mbretëreshës Camilla.

Ai e njoftoi ministrin Heappey me progresin e Kosovës në këto dy vite qeverisje, duke theksuar se Kosova ka bërë rritje të shënuar ekonomike si për nga rritja e GDP-së, po ashtu edhe e investimeve dhe rritjes së të hyrave.

Pasi theksoi rritjen e buxhetit në fushën e mbrojtjes, vlerësoi të nevojshëm rritjen e bashkëpunimit mes Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar në këtë drejtim me trajnime dhe pajisje të reja ushtarake.

Deri më tani 28 kadetë të Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë përfunduar me sukses programin e edukimit ushtarak në Akademinë Ushtarake Mbretërore të Sandhurst.

Heappey nënvizoi që Kosova është histori suksesi dhe duhet të punojnë së bashku për të promovuar progresin e arritur në vend.

U vlerësua se roli i Mbretërisë së Bashkuar në rajon i kontribuon lirisë, demokracisë dhe progresit, andaj edhe duhet të jetë sa më aktiv.

Heappey: Britania e Madhe e përkushtuar që ta shohim Kosovën në BE dhe NATO

Ministri për Forcat e Armatosura i Mbretërisë së Bashkuar, James Heappey ka deklaruar se mbeten të përkushtuar për anëtarësimin e Kosovës në BE dhe NATO. Ai ka theksuar se marrëdhëniet me Kosovën janë të gjata, duke shtuar se Mbretëria e Bashkuar do të zgjasë praninë e saj në KFOR edhe për tri vjet të tjera.

Heappey pas takimit me kryeministrin Albin Kurti, ka thënë se ka sfida sa i përket situatës së sigurisë në veri të Mitrovicës.

Sipas tij, marrëdhëniet me Kosovën janë të gjatë dhe do të vazhdojnë ta mbështesin.

“Sapo pata takime fantastike, si me presidenten, ashtu edhe me kryeministrin. Marrëdhënia e Mbretërisë së Bashkuar me vendin tuaj është e gjatë. Ne kemi qenë këtu në fund viteve të 90-ta, në momentin e Pavarësisë suaj, dhe iu kemi mbështetur në çdo hap më pas. Ne do të vazhdojmë ta bëjmë këtë, dhe kjo është arsyeja pse sot, unë jam veçanërisht krenar të njoftoj se Mbretëria e Bashkuar do të zgjasë praninë e saj në KFOR edhe për tre vjet të tjera. Një shenjë se sa të përkushtuar jemi për sigurinë tuaj, sovranitetin tuaj, lirinë tuaj, dhe për t’u siguruar që projekti Kosova të vazhdojë të jetë suksesi i madh që ka qenë për 24 vitet e fundit”, ka thënë ai.

Ministri i Mbretërisë së Bashkuar për Forcat e Armatosura është pyetur edhe për sigurinë në veri të Mitrovicës, për çka tha se kjo mbetet sfidë për vendin.

“Unë mendoj se ka sfida, sigurisht që ka, por ne jemi shumë të qartë në pozicionin në lidhje me sfidat e sigurisë që janë në vendin tuaj. Prezenca jonë në KFOR e nënvizon këtë, por po ashtu edhe mbështetja jonë diplomatike për Kosovën dhe forumin ndërkombëtar. Ne do të vazhdojmë të punojmë me ju për të zgjidhur sfidat e sigurisë që ekzistojnë, dhe për t’u siguruar që ju të vazhdoni të jeni të lirë dhe të sigurt brenda kufijve tuaj”, ka shtuar ai.

Më tej, ministri britanik ka deklaruar se në takimin me presidenten Osmani dhe kryeministrin Kurti, kanë deklaruar për sfidat e sigurisë në vend dhe rolin e Mbretërisë së Bashkuar në zgjidhjen e tyre.

“Ishte biseda miqësore, kjo është ajo që bëjnë miqtë. Unë jam takuar me kryeministrin tuaj dy herë në Londër, gjatë viteve të fundit, dhe i premtova se do të vija për vizitë. Më vjen keq që ‘u desh kaq shumë kohë për ta bërë këtë, dhe ky ishte takimi im i parë me presidenten tuaj. Edhe pse ajo ka qenë në Londër në funeralin e Mbretëreshës së ndjerë, dhe kurorëzimin e mbretit, së fundmi. Pra, dialogu mes Britanisë së Madhe dhe Kosovës është i shpeshtë, është i ngrohtë, dhe është në nivelet më të larta. Ne diskutojmë në përgjithësi, sfidat e sigurisë në vend dhe rolin që mund dhe duhet të luajë Mbretëria e Bashkuar në zgjidhjen e tyre. Dhe pastaj, sigurisht, ambicia afatgjatë e Kosovës, që të jetë edhe anëtare e BE-së dhe NATO-s. Dhe përderisa, natyrisht, të dyja këto organizata kërkojnë një konsensus të gjerë, Mbretëria e Bashkuar mbetet e përkushtuar që ta shohë Kosovën në atë rrugë, kur rrethanat ta lejojnë një gjë të tillë”, ka përfunduar ministri i Forcave të Armatosura të Mbretërisë së Bashkuar.

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button