Kurti: Ishim në Kaçanik për të nderuar kujtimin e burrave e grave që lanë pas trashëgimi të pashembullt

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka qenë sot në Kaçanik për të nderuar burrat dhe gratë që u vranë nga forcat serbe 25 vjet më parë në Rakoc dhe në “Lagje të Re”.

Kurti, mes tjerash theksoi se Nebih Livoreka i kishte 105 vjet kur e vranë në Rakovec të Kaçanikut.

“Nebih Livoreka i kishte 105 vjet kur e vranë në Rakovec të Kaçanikut. Ai ishte në mesin e 32 civilëve që u vranë atë ditë. Në betejë me forcat armike të Serbisë që kishin sulmuar popullsinë shqiptare ranë heroikisht 28 dëshmorë të UÇK-së. Sot u mbushën 25 vjet”, shkroi Kurti në rrjetin e tij social në “Facebook”.

“Në mëngjesin e 9 prillit të 1999, Kaçaniku ishte zgjuar i rrethuar nga forca të mëdha të ushtrisë dhe policisë së Serbisë, që sulmonin popullatën civile, duke granatuar nga të gjitha anët”.

A përmendi se në mesin e dëshmorëve në mbrojtje të civilëve ranë edhe tri gra.

“Në mbrojtje të tyre dolën ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke u përballur me forcat e armatosura serbe. Në Betejën e Rakocit dhe Betejën e Lagjes së Re, u zhvilluan luftime të ashpra. Në mbrojtje të popullatës civile ranë 28 dëshmorë. Në mesin e tyre edhe katër gra dëshmore: Emsale Frangu, Jehona Raka, Lumnije Raka dhe Mukadeze Lika-Muhaxheri. Sikurse që doli në ballë të luftimeve në prill 1999, ashtu në maj 1998 Mukadezja ishte në ballë të protestave kundër dhunës serbe në Kaçanik. Ne ishim sot në Kaçanik për të nderuar kujtimin e burrave e grave që lanë pas trashëgimi të pashembullt të guximit, qëndresës dhe dashurisë për atdheun. Në këtë datë, nderojmë 28 dëshmorë dhe 32 viktima civile, martirë të vrarë në Rakoc dhe Lagje të Re. Me përkushtimin për ta ruajtur trashëgiminë e luftës çlirimtare, duke nderuar sakrificat e popullit të Kosovës për liri, punojmë me vendosmëri për një Kosovë të paqes, të drejtësisë dhe përparimit. Lavdi të gjithë dëshmorëve dhe martirëve të kombit tonë!”, ka shkruar Kurti./21Media

Back to top button